Këlliçi jep detaje nga protesta e 23 dhjetorit: Do bllokohen rrugë, mund të ketë dhe përplasje


Drejtuesi politik i PD-së për Tiranën, Belind Këlliçi, tregoi në emisionin  “Log” në Neës 24 detaje nga protesta e 23 dhjetorit e thirrur nga Partia Demokratike.

Këlliçi tha se risia e kësaj proteste është pjesëmarrja e kreut demokrat, Sali Berisha, i cili u mbajt në arrest shtëpie për 333 ditë, pa asnjë provë e pa asnjë SPAK.

Këlliçi paralajmëroi se mund të ketë përplasje në këtë protestë, ndërsa shtoi se personalisht do të jetë në krye të protestuesve që do të qëndrojnë te Bashkia e Tiranës.

“Protesta e 23 dhjetorit do nisë në orën 17:00, do të ketë  bllokim të disa akseve kryesore në kryeqytet. Tirana tashmë është e paralizuar nga trafiku çdo mbrëmje. Risi do të ketë prezenca e zotit Berisha, do të jetë hera e parë që ai merr pjesë në protestë pas arrestit shtëpiak për 333 ditë …thënë këtë gjasat janë që sërish të kemi një skenar me përballje dhe përplasje. O do ulë qepenin SPAK, ose zyra e kryetarit të bashkisë Tiranë do ulë qepenin. Është një protestë që do organizohet në të paktën 5 lokacione, unë do jem i vendosur te bashkia e Tiranës. Do kemi pak a shumë një skenar të ngjashëm me protestën e nëntorit”-tha Këlliçi.