2025 do jetë një vit llogarie për kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu dhe armikun e përhershëm të vendit të tij, Iranin.
Udhëheqësi veteran izraelit është i vendosur të çimentojë qëllimet e tij strategjike: të forcojë kontrollin e tij ushtarak mbi Gazën, të pengojë ambiciet bërthamore të Iranit dhe të përfitojë nga shpërbërja e aleatëve të Teheranit – Hamasit palestinez, Hezbollahut të Libanit dhe largimit të presidentit sirian Bashar al-Assad.
Rënia e Assadit, eliminimi i krerëve të lartë të Hamasit dhe Hezbollahut dhe shkatërrimi i strukturës së tyre ushtarake shënojnë një sërë fitoresh monumentale për Netanyahun.
Pa Sirinë, aleancat që Teherani ka ushqyer për dekada janë shpërbërë. Ndërsa ndikimi i Iranit dobësohet, Izraeli po shfaqet si fuqia mbizotëruese në rajon.
Netanyahu është gati të godasë ambiciet bërthamore dhe programin raketor të Iranit, duke aplikuar një fokus të palëkundur për çmontimin dhe aasgjësimin e këtyre kërcënimeve strategjike ndaj Izraelit.
Irani, thonë vëzhguesit e Lindjes së Mesme, përballet me një zgjedhje të ashpër: Ose të vijojë programin e tij të pasurimit bërthamor ose të zvogëlojë veprimtaritë e tij atomike dhe të pranojë bisedimet.
“Irani është shumë i prekshëm ndaj një sulmi izraelit, veçanërisht kundër programit të tij bërthamor,” tha Joost R. Hiltermann, drejtor i Programit për Lindjen e Mesme dhe Afrikën Veriore të Grupit Ndërkombëtar të Krizave.
“Nuk do habitesha nëse Izraeli do e bënte këtë, por kjo nuk e shpëton Iranin”.
“Nëse iranianët nuk tërhiqen, Trump dhe Netanyahu mund të godasin, pasi asgjë nuk i pengon tani,” tha analisti palestinez Ghassan al-Khatib, duke iu referuar presidentit të zgjedhur Donald Trump. Khatib argumentoi se udhëheqja iraniane, pasi ka treguar pragmatizëm në të kaluarën, mund të jetë e gatshme të bëjë kompromis për të shmangur një përplasje ushtarake.
Trump, i cili u tërhoq nga një marrëveshje e vitit 2015 midis Iranit dhe gjashtë fuqive botërore që synon frenimin e qëllimeve bërthamore të Teheranit, ka të ngjarë të shtojë sanksionet ndaj industrisë së naftës të Iranit, pavarësisht thirrjeve për t’u kthyer në bisedime nga kritikët.
Përcaktimi i trashëgimisë
Mes trazirave të Iranit dhe Gazës, gjyqi afatgjatë i Netanyahut për korrupsion, i cili rifilloi në dhjetor, do luajë gjithashtu një rol përcaktues në formësimin e trashëgimisë së tij. Për herë të parë që nga shpërthimi i luftës së Gazës në vitin 2023, Netanyahu mori qëndrim në procedurat që kanë ndarë ashpër izraelitët.
Me përfundimin e vitit 2024, kryeministri izraelit ka të ngjarë të pranojë të nënshkruajë një marrëveshje armëpushimi me Hamasin për të ndalur luftën 14-mujore të Gazës dhe për të liruar pengjet izraelitë të mbajtur në enklavë, sipas burimeve pranë negociatave.
Por Gaza do qëndronte nën kontrollin ushtarak izraelit në mungesë të një plani të pasluftës të SHBA-së që Izraeli t’ia dorëzonte pushtetin Autoritetit Palestinez (PA), të cilin Netanyahu nuk e pranon. Shtetet arabe kanë treguar pak prirje për të shtyrë Izraelin ose PA-në.
“Izraeli do qëndrojë ushtarakisht në Gaza në të ardhmen e parashikueshme, sepse çdo tërheqje mbart rrezikun e riorganizimit të Hamasit. Izraeli beson se e vetmja mënyrë për të ruajtur përfitimet ushtarake është të qëndrojë në Gaza,” tha Khatib për Reuters.
Për Netanyahun, një rezultat i tillë do shënonte një fitore strategjike, duke konsoliduar një status quo që përputhet me vizionin e tij: Parandalimi i shtetësisë palestineze duke siguruar kontrollin afatgjatë të Izraelit mbi Gazën, Bregun Perëndimor dhe Jeruzalemin Lindor – territore të njohura ndërkombëtarisht si integrale të një shteti i ardhshëm palestinez.
Lufta në Gaza shpërtheu kur militantët e Hamasit hynë në Izrael më 7 tetor 2023, duke vrarë rreth 1200 njerëz dhe duke marrë peng 250, sipas të dhënave izraelite. Izraeli u përgjigj me një ofensivë ajrore dhe tokësore që ka vrarë 45,000 njerëz, thonë autoritetet shëndetësore atje, zhvendosi 1.2 milionë dhe la pjesën më të madhe të enklavës në gërmadha.
Ndërsa pakti i armëpushimit do t’i sillte një fund të menjëhershëm armiqësive në Gaza, ai nuk do trajtonte luftën më të thellë palestinezo-izraelite, që zgjat prej disa dekadash, thonë zyrtarët arabë dhe perëndimorë.
Në terren, perspektivat për një shtet palestinez, një mundësi e përjashtuar në mënyrë të përsëritur nga qeveria e Netanyahut, janë bërë gjithnjë e më të paarritshme, me udhëheqësit e kolonëve izraelitë optimistë se Trump do përputhet ngushtë me pikëpamjet e tyre.
Një rritje e dhunës së kolonëve dhe rritja e besimit të lëvizjes së kolonëve – tabelat e autostradave në disa zona të Bregut Perëndimor mbajnë mesazhin në arabisht “Nuk ka të ardhme në Palestinë” – pasqyrojnë një shtrëngim në rritje ndaj palestinezëve.
Edhe nëse administrata Trump do shtynte për t’i dhënë fund luftës, “çdo zgjidhje do ishte sipas kushteve të Izraelit”, tha Hiltermann i Grupit të Krizave.
Në mandatin e mëparshëm të Trump, Netanyahu siguroi disa fitore diplomatike, duke përfshirë “Marrëveshjen e Shekullit”, një plan paqeje i mbështetur nga SHBA-ja, të cilin Trump e paraqiti në vitin 2020 për të zgjidhur luftën izraelito-palestineze.
Plani, nëse zbatohet, shënon një ndryshim dramatik në politikën e SHBA-së dhe marrëveshjet ndërkombëtare duke u rreshtuar hapur me Izraelin dhe duke devijuar ndjeshëm nga një kornizë afatgjatë “tokë në këmbim të paqes” që ka udhëhequr historikisht negociatat.
Kjo do lejonte Izraelin të aneksonte zona të mëdha toke në Bregun Perëndimor të pushtuar, duke përfshirë vendbanimet izraelite dhe Luginën e Jordanit. Ajo gjithashtu do njihte Jerusalemin si “kryeqytetin e pandarë të Izraelit” – duke mohuar në mënyrë efektive pretendimet palestineze për Jeruzalemin Lindor si kryeqytetin e tyre, një aspiratë qendrore në qëllimet e tyre të shtetësisë dhe në përputhje me rezolutat e OKB-së.