Përdorimi i inteligjencës artificiale në luftë, Ukraina mbledh sasi të madhe të dhënash


Ndërsa e ardhmja e luftës drejtohet drejt inteligjencës artificiale (AI), Ukraina është ka grumbulluar një burim të vlefshëm: miliona orë pamje nga dronët që mund të përdoren për të stërvitr modelet e AI për të marrë vendime në fushën e betejës.

Inteligjenca artificiale po përdoret nga të dyja palët në fushën e betejës gjatë pushtimit rus të Ukrainës për të identifikuar objektivat, duke skanuar pamjet shumë më shpejt se sa një njeri.

Oleksandr Dmitriev, themeluesi i OCHI, një sistem dixhital ukrainas jofitimprurës i cili centralizon dhe analizon burimet video nga mbi 15,000 ekuipazhe dronesh që punojnë në vijën e frontit, i tha Reuters se sistemi i tij kishte mbledhur 2 milionë orë pamje video të fushës së betejës nga dronët që nga viiti 2022.

“Kjo do sigurojë të dhëna jetike që AI të mësojë. Ky është ushqim për AI: Nëse doni të mësoni një AI, i jepni 2 milionë orë video dhe ajo do kthehet në diçka e mbinatyrshme.”

Sipas Dmitriev, pamjet mund të përdoren për të stërvitur modele të inteligjencës artificiale në taktikat luftarake, zbulimin e objektivave dhe vlerësimin e efektivitetit të sistemeve të armëve.

“Është në thelb përvoja që mund të shndërrohet në matematikë,” tha ai, duke shtuar se një program i AI mund të studiojë trajektoret dhe këndet në të cilat armët janë më efektive.

Sistemi u krijua fillimisht në vitin 2022 për t’u dhënë komandantëve ushtarakë një përmbledhje të zonave në fushën e betejës duke u treguar atyre pamjet e dronëve nga të gjitha ekuipazhet aty pranë në një ekran.

Pasi sistemi u prezantua, ekipi që e drejtonte kuptoi se video që dërgohej me dron mund të ishte e dobishme si një regjistrim i luftës, kështu që ata filluan ta ruanin atë.

Mesatarisht, Dmitriev tha se pesë ose gjashtë terabajt të dhëna të reja shtoheshin çdo ditë nga luftimet.

Cilësia e pamjeve

Dmitriev tha se po fliste me përfaqësues nga disa aleatë të huaj të Ukrainës që kishin shprehur interes për sistemin e tij OCHI, por nuk pranoi të jepte hollësi.

Samuel Bendett, bashkëpunëtor i lartë në Qendrën për Sigurinë e Re Amerikane me bazë në SHBA, tha se një grup kaq i madh të dhënash do ishte jashtëzakonisht i vlefshëm në mësimin e sistemeve të AI për të identifikuar se çfarë saktësisht po shohin dhe çfarë hapash duhet të ndërmarrin.

“Njerëzit mund ta bëjnë këtë në mënyrë intuitive, por makinat nuk munden, dhe ato duhet të stërviten në atë që është ose nuk është një rrugë, një pengesë natyrore, ose një pritë,” tha ai.

Kateryna Bondar, një bashkëpunëtore në qendrën Wadhwani AI në Qendrën për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare, tha se madhësia e grupit të të dhënave dhe cilësia e pamjeve ishin të rëndësishme, pasi modelet e AI mësuan të njohin objektivat bazuar në forma dhe ngjyra.

Ukraina ka gjithashtu një sistem tjetër, të quajtur Avengers, i zhvilluar nga Ministria e saj e Mbrojtjes, i cili centralizon dhe mbledh video nga dronët dhe kamerat CCTV.

Ministria nuk pranoi të jepte informacion në lidhje me këtë sistem. Megjithatë, më parë ka thënë se Avengers vëren 12,000 pajisje ruse në javë duke përdorur mjete identifikimi të AI.

Mijëra dronë tashmë po përdorin sisteme të AI për të fluturuar te objektivat pa qenë nevoja për pilotim njerëzor dhe Ukraina po përdor teknologjitë e AI për të ndihmuar në çminimin e territorit të saj.

Kompanitë ukrainase po zhvillojnë grupe dronësh, ku një sistem kompjuterik do jetë në gjendje të ekzekutojë komanda për një rrjet të ndërlidhur prej dhjetëra dronësh.

Rusia ka promovuar gjithashtu përdorimin e saj të AI në fushën e betejës, veçanërisht për njohjen e objektivave në dronët sulmues Lancet, të cilët kanë rezultuar vdekjeprurës kundër automjeteve të blinduara ukrainase.