Një projektligj i shpenzimeve i mbështetur nga Donald Trump dështoi në Dhomën e Përfaqësuesve të enjten pasi dhjetëra republikanë sfiduan presidentin e zgjedhur, duke e lënë Kongresin pa një plan të qartë për të shmangur një mbyllje të shpejtë të qeverisë, që mund të pengojnë efektivitetin e qeverisë.
Votimi zbuloi rreshtimet në Partinë Republikane të Trump që mund të shfaqen përsëri vitin e ardhshëm kur ata të kontrollojnë Shtëpinë e Bardhë dhe dy dhomat e Kongresit.
Trump u kishte kërkuar ligjvënësve që të zgjidhnin çështjen përpara se të marrë detyrën më 20 janar, por anëtarët e krahut të djathtë të parties kundërshtuan të mbështesin një paketë që do rriste shpenzimet dhe do hapte rrugën për një plan që do shtonte triliona dollarë më shumë në planin e qeverisë federale dhe borxhin prej 36 trilionë dollarësh.
“Unë jam absolutisht i mërzitur nga një parti që bën fushatë për përgjegjësinë fiskale dhe ka guximin të shkojë te populli amerikan dhe të thotë se ju mendoni se kjo është përgjegjëse fiskale,” tha Përfaqësuesi Republikan Chip Roy, një nga 38 republikanët që votuan kundër projektligjit.
Paketa dështoi me një votim 174-235 vetëm disa orë pasi u mblodh me nxitim nga udhëheqësit republikanë që kërkonin të përmbushnin kërkesat e Trump. Një marrëveshje e mëparshme dypartiake u prish pasi Trump dhe personi më i pasur në botë Elon Musk dolën kundër saj të mërkurën.
Kryetari republikan i Dhomës së Përfaqësuesve, Mike Johnson nuk dha hollësi kur gazetarët e pyetën për hapat e ardhshëm pas votimit të dështuar.
“Ne do dalim me një zgjidhje tjetër”, tha ai.
Financimi i qeverisë do përfundojë në mesnatën e së premtes. Nëse ligjvënësit nuk arrijnë të zgjasin atë afat, qeveria amerikane do fillojë një mbyllje të pjesshme që do ndërpresë fondet për gjithçka, nga ruajtja e kufijve te parqet kombëtare dhe do ndërpresë çeqet e pagave për më shumë se 2 milionë punonjës federalë. Administrata e Sigurisë së Transportit të SHBA-së paralajmëroi se udhëtarët gjatë sezonit të festave të ngarkuara se mund të përballen me radhë të gjata në aeroporte.
“Kongresi duhet të heqë qafe ose të zgjasë ndoshta deri në vitin 2029, tavanin qesharak të borxhit. Pa këtë, ne nuk duhet të bëjmë kurrë një marrëveshje,” tha Trump në një postim në Truth Social disa orë pasi projektligji dështoi.
Projektligji i pasuksesshëm i së enjtes i ngjante kryesisht versionit të mëparshëm që Musk dhe Trump e kishin cilësuar si një dhuratë kotë për demokratët. Ai do kishte zgjatur fondet e qeverisë deri në mars dhe do kishte ofruar 100 miliardë dollarë ndihmë për fatkeqësitë si dhe do pezullonte borxhin. Republikanët hoqën elementë të tjerë që ishin përfshirë në paketën origjinale, të tilla si rritja e pagave për ligjvënësit dhe rregullat e reja për menaxherët e përfitimeve të farmacive.
Me nxitjen e Trump, versioni i ri gjithashtu do pezullonte kufizimet në borxhin kombëtar për dy vjet – një manovër që do e bënte më të lehtë kalimin e shkurtimeve dramatike të taksave që ai ka premtuar.
Johnson para votimit u tha gazetarëve se paketa do shmangte përçarjen dhe do e bënte më të lehtë për ligjvënësit të shkurtojnë shpenzimet me qindra miliarda dollarë kur Trump të marrë detyrën vitin e ardhshëm.