Volkswagen njoftoi ndryshime gjithëpërfshirëse në operacionet e tij në Gjermani, duke përfshirë më shumë se 35,000 shkurtime të ardhshme të vendeve të punës dhe ulje të kapaciteteve në një marrëveshje të fundit mes prodhuesit kryesor të makinave evropiane dhe sindikatave për të shmangur grevat masive.
Marrëveshja megjithatë u përshëndet si një “mrekulli e Krishtlindjeve” nga drejtuesit e sindikatave pas 70 orësh bisedimesh rraskapitëse, më të gjatat në historinë 87-vjeçare të kompanisë, pasi nuk do ketë mbyllje të menjëhershme, pushime nga puna apo shkurtime pagash.
Volkswagen ka qenë në bisedime me përfaqësuesit e sindikatës që nga shtatori për masat që thotë se janë të nevojshme për të konkurruar me rivalët më të lirë kinezë, kërkesën e dobët në Evropë dhe përthithjen më të ngadaltë se sa pritej të automjeteve elektrike.
Rreth 100,000 punëtorë kanë organizuar tashmë dy greva të veçanta në muajin e kaluar, më e madhja në historinë 87-vjeçare të Volkswagen, duke protestuar kundër planeve për të ulur pagat, për të ulur kapacitetin dhe për të mbyllur fabrikat gjermane për herë të parë.
“Pas bisedimeve të gjata dhe të ashpra, marrëveshja është një sinjal i rëndësishëm për qëndrueshmërinë e ardhshme të markës Volkswagen”, tha në një deklaratë shefi ekzekutiv i grupit Oliver Blume.
VW tha se marrëveshja do lejonte kursime prej 15 miliardë eurosh në vit në periudhën afatmesme dhe nuk kishte asnjë ndikim të rëndësishëm në udhëzimet e saj për vitin 2024. Ai tha se po shikonte mundësi të tjera për uzinën e saj në Dresden dhe ripërdorimin e fabrikës së Osnabruck. Një pjesë e prodhimit do zhvendosej në Meksikë.
IG Metall tha se një rritje pagash prej 5% e rënë dakord në nëntor do pezullohej dhe prodhimi i automjeteve do mbyllej në uzinën e Dresdenit deri në fund të vitit 2025.
“Asnjë fabrikë nuk do mbyllet, askush nuk do pushohet nga puna për arsye operacionale dhe marrëveshja e pagave të kompanisë sonë do sigurohet për një periudhë afatgjatë,” tha shefja e këshillit të punës Daniela Cavallo.
“Me këtë marrëveshje të trefishtë, ne kemi arritur një zgjidhje të mirë në kushtet më të vështira ekonomike,” tha ajo.
Raundi i pestë i bisedimeve nisi që nga e hëna dhe ka vijuar deri mesnatën e së premtes në një hotel në Hanover këtë javë, me palët në bisedime që bënë vetëm pushime të shkurtra për të fjetur dhe ushqyer.
Bisedimet u zhvilluan në një hotel të vjetër në periferi të Hanoverit, ku delegatët nga të dyja palët u takuan në raunde të ndryshme. Kriza në VW ka ardhur në një kohë pasigurie dhe trazirash politike në ekonominë më të madhe të Evropës, si dhe trazira më të gjera midis prodhuesve të automjeteve të rajonit.