Pas përplasjes në Kuvend në seancën e së enjtes, Sekretari i Përgjithshëm i PD-së Flamur Noka e akuzoi ish-deputetin e PD-së Agron Shehaj si shërbëtor të Erion Veliajt.
Gjatë bashkëbisedimit me gazetaren Nisida Tufa në emisionin “Kjo Javë”, ai pretendoi se Shehaj ka drekuar në Itali me Sekretarin e Përgjithshëm të Kryeministrisë Engjëll Agaçin, kryebashkiakun e Tirans Erion Veliaj dhe vëllain e tij, Arbër Veliaj.
“A ke ngrënë drekë në Firence me Engjëll Agaçin, Erion Veliajn dhe vëllain e Kryebashkiakut të Tiranës? A ke biznes me vëllain e Erion Veliajt në Itali? A ju ka sjellë nga Italia Engjëll Agaçi dhe Erion Veliaj dhe të çuan te Lulzim Basha, pasi Edi Rama të refuzoi?” – pyeti publikisht Noka-Shehajn.
Ai tha më tej se gjatë seancës Shehaj bëri një tango me ministren e Infrastrukturës Balluku ndërsa nuk la të fliste asnjë deputet i opozitës.
“Shehaj bëri një tango me Belinda Ballukun, ato janë një, janë Edi Rama. Janë ushtarë të Ramës, janë pushteti dhe lidhja e korrupsionit që i mbajnë bashkë. Pse Shehaj shfaqi gjithë atë dashuri me Ballukun dhe jo me mua?” – shtoi Noka.