Vendosni fjalën kyçe....

SHBA heq shpërblimin prej 10 milionë dollarësh për kapjen e kreut sirian


Shtetet e Bashkuara kanë hequr shpërblimin prej 10 milionë dollarësh për kreun e ri të Sirisë pas një takimi të delegacionit të nivelit të lartë amerikan me të të premten.

Ndihmës Sekretarja e Shtetit për Çështjet e Lindjes së Afërt, Barbara Leaf, një nga tre zyrtarët amerikanë që u ulën me Ahmad al-Sharaa në Damask, e përshkroi “vendimin e politikës” si të lidhur me nevojën për të punuar në “çështje të rëndësishme” siç është lufta kundër terrorizmit. .

Al-Sharaa “u angazhua për këtë,” tha Leaf, “dhe kështu bazuar në diskutimin tonë, i thashë atij se do e hiqnim shpërblimin që kishim vënë për të dhe që ka qenë në fuqi për disa vite.” Al-Sharaa është kreu i grupit Hayat Tahrir al-Sham (HTS) të emërtuar si terrorist nga SHBA-ja.

Takimi i al-Sharaa, i quajtur më parë Abu Mohammad al-Jolani, nënvizoi urgjencën e përpjekjeve të SHBA-së për t’u angazhuar me qeverinë e përkohshme të Sirisë për të siguruar që vendi të mos shohë një ringjallje të ISIS-it, të cilin zyrtarët amerikanë kanë paralajmëruar se do përpiqet të rigrupohet pas kolapsit të beftë të regjimit sirian.

Leaf tha se al-Sharaa “u duk pragmatik” dhe e përshkroi takimin e tyre në Damask si “mjaft të mirë, shumë produktiv, të hollësishëm”. Një burim tjetër i njohur me takimin tha se ai zgjati pak më pak se dy orë.

“Ne e kemi dëgjuar për disa kohë, disa deklarata shumë pragmatike dhe të moderuara për çështje të ndryshme, nga të drejtat e grave deri te mbrojtja dhe të drejta të barabarta për të gjitha komunitetet, etj.,” tha ajo.

“Ne do gjykojmë me vepra, jo vetëm me fjalë. Veprat janë gjëja më e rëndësishme”, tha Leaf.

Leaf, i dërguara e posaçme presidenciale për çështjet e pengjeve, Roger Carstens dhe këshilltari i lartë i AKM-së, Daniel Rubinstein ishin zyrtarët e parë amerikanë që udhëtuan në Siri pas rënies së qeverisë siriane më pak se dy javë më parë.