Vendosni fjalën kyçe....

Akuzat për tendera të paracaktuar, ministri Gonxhe: Opozita një javë lakra, pastaj tarator


Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, ka reaguar ndaj akuzave të Partisë Demokratike lidhur me tenderin e zhvilluar nga Operatorin i Blerjeve të Përqendruara për blerjen e ushqimeve për Institucionin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale.

Në një postim ironik në rrjetet sociale, Gonxhja ka kritikuar opozitën për qasjen e saj ndaj çështjeve të tenderëve, duke e quajtur atë një opozitë me “menu fikse” dhe duke theksuar se PD ka humbur besueshmërinë duke mos u informuar saktë.

Ai ka mbrojtur arritjet e Operatorit të Blerjeve të Përqendruara, duke e cilësuar atë një shembull të suksesit në përmirësimin e proceseve të prokurimit publik, rritjen e transparencës dhe efikasitetit, dhe eliminimin e korrupsionit dhe vonesave.

Gonxhja gjithashtu theksoi investimet e OBP në kulturë dhe angazhimin e tij për të mbështetur tregun e lirë dhe administratën publike.

Postimi nga Blendi Gonxhja

Opozitë me menu fikse një javë lakra, java tjetër tarator… këtë javë ca portale ngritën topin, që e zhyti PD në fundjavën fletërrufe! Fushata afron e racioni i baltës shpeshtohet, por edhe pse një opozitë jo objektive dëmton vetëm vetveten, duke mbetur gropë nga mentaliteti i anatemimit me të dëgjueme e copy-paste, apo duke humbur besueshmëri sepse as pyet, as informohet zyrtarisht, as analizon e as përpiqet të ndajë shapin nga sheqeri, me korin “nxi se dicka ngjit”, pa bërë kurrë dallimin mes fakteve dhe llafeve, mes ligjit dhe dellit – po publikoj grafikat e krenarisë së OBP!

Operatori i Blerjeve të Përqendruara në më pak se 8 muaj nga themelimi si sh.a. ka bërë revolucion në shërbimin e prokurimit publik, me përgëzime nga homologët evropianë, UNOPS, duke u kthyer në shembull kthese në sektorin më problematik e vulnerabël, duke rritur transparencën, kursimin e fondeve publike, konkurrencën, risitë, dinjitetin e administratës shqiptare dhe leverdisshmërinë për AK – klientët, duke fuqizuar tregun e lirë shqiptar, duke shpejtuar procedurat, duke eliminuar vonesat, hilet dhe subjektivitetin, duke garantuar cilësinë dhe standardet e mallrave dhe shërbimeve të kontraktuara, çka vërtetohet nga pasqyrat statistikore!

OBP për herë të parë publikon në kohë reale dhe njofton operatorët ekonomik që regjistrohen në sistem, për çdo garë e tender të shpallur, përmes një platforme online – FALAS!

OBP lancon në kohë rekord online Katalogun Digjital ALBZONE për autoritetet kontraktore, ku porosia kryhet në kohë reale, mes termave e çmimeve të unifikuara e certifikuara!

OBP si ent me vetëfinancim, çdo fitim pas taksave do ta investojë në art e kulturë, një tjetër e mirë publike kjo!

Cdo ofertues që shpallet fitues nga OBP, e mban vetë përgjegjësinë për çdo detyrim ligjor, deklarimi konflikti interesi apo zbatim të akteve në fuqi! Sikurse OBP auditohet, monitorohet dhe është subjekt i kontrollit për çdo veprim, qendrim e praktikë zyrtare!

Edhe pse termat & specifikimet teknike hartohen nga autoritetet kontraktore, OBP po punon për mbështetjen me ekspertizë, automatizimin dhe informatizimin e plotë të procesit, duke ndihmuar për mirëpërcaktimin e fondit limit dhe përfshirjen e sa më shumë ofertuesve!