Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, mori pjesë në aktivitetin “Në kërkim të simboleve: Azem Hajdari si simbol i lirisë,” ku nënvizoi rolin e rëndësishëm të Azem Hajdarit në fillimet e lëvizjes demokratike në Shqipëri. Berisha kujtoi momentin historik të përballjes së Hajdarit dhe grupit të tij të studentëve me Ramiz Alinë, ish-diktatorin komunist, gjatë protestave të vitit 1990.
Berisha përkujtoi se, pas kësaj proteste të parë, Ramiz Alia pranoi të takohej me studentët jo në Komitetin Qendror, por në Universitet. “Azem Hajdari i tha: ‘Na thuaj ku e ke qëllimin, nuk kemi dalë për një gotë çaj, por për qëllime politike’,” u shpreh ai, duke nënvizuar vendosmërinë e Hajdarit dhe të rinjve për të kërkuar liri dhe ndryshime politike.
Kryetari i PD-së theksoi se në vitin 1990 Shqipëria ishte parashikuar të mbetej si një “Kuba e Adriatikut,” dhe përmendi ngjashmëritë e lëvizjes demokratike shqiptare me revolucionin çek. Sipas tij, protestat studentore në Shqipëri ishin një moment kyç që frymëzuan ndryshime të mëdha, si përmbysja e regjimit të vjetër komunist dhe hapja e rrugës për pluralizmin dhe demokracinë.
“Në vitin 1990, ne në tërësi, të jem i sinqertë me ju, ishim parashikuar pas 2 korrikut të mbetemi Kuba e Adriatikut. Ju sugjeroj të lexoni për këtë, një intervistë të protagonistit kryesor ndërkombëtar, që ishte ambasadori Gjerman, Verner Dob.
Çfarë thotë ai? Ajo ishte një kryengritje madhështore, ajo ishte, ata që rinia punëtor, ti themi siç janë, por ata e përmbysën murin e Berlinit në Tiranë, ata si luanë iu vërsulën ambasadave.
Shoqëria, ne të tjerët, qëndruam në letargjinë tonë, në topinë tonë dhe nuk mbushëm rrugët. E thotë bukur ai.
Por çfarë thotë ai? Askush përveç se një zv/ministër në qeverinë time nuk më mbështeste dhe më vëzhgonin se mos isha nxitës. Ai nxiste në fakt, ai ishte burrë, meriton çdo nderim. Ai nxiste me shpresë se nga kjo, Tirana do të derdhej në rrugë.
Por thotë, më vinin telegramet dhe mesazhet se, kanë specifikat e veta, se janë kështu, e ashtu, përveç zv/ministrit, i cili më çonte mesazhe shumë i entuziazmuar nga veprimi im.
Kështu që, Ramiz Alia arriti të ringrejë murin e Berlinit. Shpërndarë kishte ata sampistat, kishte ca batalione terroriste. Rrihnin njerëz. Po të shihnin 15 veta në stacion, rrihnin, që të mos u shkonte mendja të futeshin në ambasada, pasi i përzuri.
Kështu që, plus ambasadat hynë në remont, pasi ishin dëmtuar. Ambasada Gjermane 3 mijë vetë në oborr dhe seli. Në atë kohë pra, kur këta e nisën betejën ishte e papritur.
Ka një ngjashmëri të madhe mes revolucionit çek dhe revolucionit demokratik shqiptar, edhe atë studentët e nisën, edhe atë e nisi Universiteti i Pragës.
Por ku ishte Çekia krahasuar me Shqipërinë, ishte shumë kate më e lirë se Shqipëria.
Ky që e quanin edhe Gorbaçov, vriste njerëz në kufi, vriste të rinj në kufi. Dhe jo vetëm i vriste, por ua zvarriste trupat nëpër qytete, Shkodër, Sarandë, Gjirokastër, e me radhë për të terrorizuar. Nga mëngjesi deri në darkë u frynte brirëve të demokracisë, thoje ti, se këtu po bëhet gjithçka.
Ata vriteshin, të rinjt i vriste. Dhe Ramiz Aliaj ka shkelur rregulloren e kufirit. Në një kohë kur kishte hequr veprën e tradhëtisë kombëtare për arratisjen.
Pra me gjithë këtë situatë, Azem Hajdari me një grup të vogël fillimisht në datën 8 në darkë, dalin e protestojnë në sheshin e Qytetit Studenti.
Nuk kishin drita, baltë në qytet, nuk kishin ngrohje etj. Natyrisht këto kërkesa ishin të tyre, por Ramiz Aliaj informohet menjëherë se, studentët janë në protestë dhe kërkojnë takim, pranon takimin dhe nuk i pret në Komitet Qendror, por i pret në universitet. Dhe këta shkojnë në Universitet.
Imagjinoni ju, një student të vitit 3-4, se ju e keni shumë të thjeshtë tani, por ju garantoj se po të bëhej një anketë në atë periudhë, se çdo të thotë pluralizëm, shumë të paktë ishin ata që mund të jepnin përgjigje se çfarë do të thotë pluralizëm.
Izolimi kishte bërë punë të jashtëzakonshme. Sigurisht kishte një elitë që e dinte, por masivisht, propaganda kishte bërë punë të jashtëzakonshme.
Dhe Azem Hajdari i thotë, na thuaj ku e ke qëllimin dhe fjala e tij; nuk kemi dalë për një gojë çaj. Kemi dalë për atë që duhet dalë, pra për qëllime politike”, u shpreh Berisha.