Katari kërcënon BE-në me bllokim të furnizmit me gaz nëse gjobitet


Ministri i Energjisë së Katarit, Saad al-Kaabi

Katari ka kërcënuar se do bllokojë dërgesat jetike të gazit në BE nëse shtetet anëtare zbatojnë në mënyrë rigoroze legjislacionin e ri që do penalizojë kompanitë që nuk përmbushin kriteret e përcaktuara për emetimet e karbonit, të drejtat e njeriut dhe ato të punës.

Ministri i Energjisë së Katarit, Saad al-Kaabi i tha Financial Times se nëse ndonjë shtet i BE-së do vendoste gjoba për mospërputhje në një shkallë të referuar në direktivën e kujdesit të korporatës, Doha do ndalonte eksportimin e gazit të saj natyror të lëngshëm në bllok.

Ligji kërkon që vendet e BE-së të kenë kompetenca për të vendosur gjoba për mospërputhje me një kufi të sipërm prej të paktën 5 për qind të të ardhurave globale vjetore të kompanisë.

“Nëse do rrezikojmë që të humbasim 5 për qind të të ardhurave duke çuar gaz në Evropë, nuk do çojmë gaz në Evropë. Nuk po bëjmë bllof”, tha Kaabi.

“5 për qind e të ardhurave të gjeneruara të QatarEnergy do të thotë 5 për qind e të ardhurave të gjeneruara të shtetit të Katarit. Këto janë paratë e popullit kështu që nuk mund ta humbasim këtë sasi parash dhe askush nuk do pranonte.”

BE-ja miratoi rregullat e kujdesit të korporatës në maj të këtij viti. Ato janë pjesë e një grupi më të gjerë kërkesash raportimi që synojnë përafrimin e kompanive me objektivin ambicioz të BE-së për arritjen e emetimeve neto zero deri në vitin 2050.

Por direktiva ka shkaktuar një reagim të gjerë nga kompanitë, brenda dhe jashtë BE-së, të cilët janë ankuar se rregullat janë shumë të vështira për t’u zbatuar dhe i vendosin ato në një disavantazh konkurrues.

“Cefic”, organi i industrisë kimike, tha se rregullat e kujdesit do “krijojnë rreziqe të rëndësishme gjyqësore” dhe duhet të vlerësohen tërësisht “për të identifikuar dhe adresuar fushat për thjeshtim dhe reduktim të barrës në mënyrë që të kufizohet ekspozimin ndaj detyrimeve.”

Kompanitë jashtë BE-së do jenë përgjegjëse për gjoba sipas direktivës nëse fitojnë më shumë se 450 milionë euro në qarkullim neto në bllok.

Katari është një nga eksportuesit kryesorë në botë të LNG-së dhe është bërë një furnizues gjithnjë e më i rëndësishëm i gazit në Evropë në vazhdën e trazirave në tregjet e energjisë të shkaktuar nga pushtimi rus i Ukrainës.

Ndërsa shtetet evropiane kanë kërkuar të heqin dorë nga gazi rus, QatarEnergy ka nënshkruar marrëveshje afatgjata për furnizimin me LNG në Gjermani, Francë, Itali dhe Holandë.

Kaabi sugjeroi që në formën e tij të tanishme legjislacioni – që do të hyjë në fuqi nga viti 2027 – do ishte i pafuqishëm për kompani si QatarEnergy në pronësi shtetërore.

Ai tha se do të kërkonte që kompania të bëjë kujdesin e duhur për praktikat e punës së të gjithë furnizuesve të grupit, me një zinxhir furnizimi global që përfshin “100,000” kompani.

Kaabi tha se do ishte gjithashtu e pamundur për një prodhues energjie si QatarEnergy të përafrohet me objektivin neto zero të emetimeve të BE-së siç përcakton direktiva për shkak të sasisë së hidrokarbureve që prodhon.

Direktiva e BE-së përfshin një detyrim për kompanitë e mëdha që të miratojnë një plan tranzicioni për zbutjen e ndryshimeve klimatike në përputhje me objektivin e asnjanësisë klimatike të vitit 2050 të Marrëveshjes së Parisit, si dhe objektivat e ndërmjetëm sipas Ligjit Evropian për Klimën.

Kaabi tha se legjislacioni do ndikojë në të gjitha eksportet e Katarit në Evropë, duke përfshirë plehrat dhe petrokimikatet, dhe gjithashtu mund të ndikojë në vendimet e investimeve të Autoritetit të Investimeve të Katarit, fondit sovran të pasurisë.

Ai tha se QatarEnergy nuk do prishë kontratat e saj të LNG-së, por do shikojë rrugët ligjore nëse përballet me ndëshkime të rënda.

“Unë nuk do pranoj që të ndëshkohemi,” tha ai.

“Thjesht do ndalojmë dërgimin e gazit në Evropë.”

Megjithatë, Kaabi sugjeroi se mund të kishte vend për kompromis nëse ndëshkimet synonin vetëm të ardhurat e krijuara në Evropë dhe jo të ardhurat totale globale.

“Nëse ata thonë se dënimi është 5 për qind e të ardhurave të krijuara nga kontrata që i shesim Evropës, unë them, ‘OK, duhet ta vlerësojmë.”, tha ai.

“Por nëse doni të arrini të prekni totalin e të ardhurave të mia të gjeneruara, kjo nuk ka kuptim.”

Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen premtoi muajin e kaluar se do propozonte një legjislacion “omnibus” që do pakësonte kërkesat e raportimit nga disa prej ligjeve të financave të gjelbra të bllokut, duke përfshirë direktivën e kujdesit të duhur.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Financial Times

Përgatiti për Hashtag.al, Klodian Manjani