Kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, ka reaguar pas vendimit të Kryeministrit Edi Rama për mbylljen e rrjetit TikTok për një periudhë prej të paktën një viti.
Bardhi ka theksuar se modeli dhe ndikimi më i keq tek fëmijët është qeverisja e Edi Ramës, duke e akuzuar atë për keqqeverisje të gjatë.
Ai ka sugjeruar se një model i tillë jep mesazhe të gabuara për fëmijët, duke i treguar atyre se nëse bëhen pjesë e aktiviteteve kriminale, mund të arrijnë pozita të larta në qeverisje.
Bardhi ka kërkuar që të mbyllet qeveria e Edi Ramës si një masë për të garantuar një të ardhme më të mirë për fëmijët, duke e akuzuar qeverinë për papërgjegjshmëri dhe mungesë politikash të duhura në arsim.
“Ajo i jep modelin fëmijëve se nëse vjedh bëhesh ministër; nëse vret apo trafikon drogë bëhesh deputet; nëse dhunon dhe bashkëpunon me bandat bëhesh drejtor policie; nëse je arrogant bëhesh kryetar bashkie; nëse je militant partie bëhesh drejtor shkolle; apo nëse je bandit emëron drejtorë dhe fiton tendera.
A nuk është më e shëndetshme për fëmijët dhe garanci më e madhe për mirërritjen e tyre që të mbyllim qeverinë e Edi Ramës?! Sigurisht që PO!
Boll është boll, 12 vjet keqqeverisje dhe gjithmonë një alibi e gatshme që faji është diku tjetër. E vërteta është që faji është tek papërgjegjshmëria e Qeverisë së Edi Ramës, tek mungesa e politikave të duhura në arsim, tek shndërrimi i shumicës së mësuesve në trupë elektorale”, shkruan Bardhi.