Depuetja e PD-së Zhupa ka paralajmëruar se opozita nuk do e lejojë mbylljen e TikTok.
Ajo shkruan se mbyllja e paralajmëruar e rrjetit social në fjalë nga fillimi i vitit 2025 bëhet qartësisht për për arsye elektorale.
Zhupa nënvizon se mbyllja e TikTok ka kohë që është menduar nga kryeministri i cili shfrytëzoi vrasjen e 14-vjeçarit në Tiranë.
Ajo shton më tej se mbyllja e një rrjeti social është masë represive ndaj lirisë së shprehjes dhe lirisë së medias dhe përdoret gjerësisht nga opozita për të denoncuar keqqeverisjen e Ramës dhe mbyllja e tij nuk do lejohet.
“Vrasjen e paramenduar të Ramës kundër Tik Tok për arsye elektorale nuk do ta lejojmë!
Rama, “vrasësi” i lirisë së medias, që kërkon të fsheh gjurmët pas një vrasje. Shfrytëzues i një vrasje, jo për të marr përgjegjësi për dështimin e arsimit, por për të kryer “vrasjen” e vet që kishte kohë që e mendonte.
Asnjëri, as viktima, as autori nuk kishin llogari në Tik Tok. Sherri as nuk nisi as nuk u konsumua në Tik tok. Por sikur rasti konkret të ishte nga përdorimi i Tik Tok përsëri detyrimi do ishte i masave propocionale.
Çdo masë kufizuese duhet të jetë proporcionale me qëllimin që synon të arrijë. Një ndalim total i TikTok-ut është masë represive ndaj lirisë së shprehjes, sidomos nëse problemet mund të adresohen me masa si edukimi digjital, vendosja e filtrave të sigurisë ose rregullimi i përmbajtjes.
Koha e këtij vendimi është tregues qartë se interesi elektoral është motivi i vërtet i kërkesës antikushtetuese për mbylljen e një media sociale, platforme komunikimi si Tik Tok.
Ajo që fshihet realisht është paramendimi i hershëm i kësaj vrasje, për arsye elektorale, e cila ishte menduar se do të kryej nga Komisioni për Dizinformimit, si masë nga “lufta e armiqve të huaj”
Rama, nisi komisionin e dizinformimit pikërisht me qëllimin që nga puna e tij do dilte nevoja për të mbyllur Tik tok, e cdo medium që nuk i pëlqente për kohën e fushatës elektorale. Shkatërrimi i besueshmërisë së atij komisioni nga forca e kundërshtimit të opozitës, dyshimet e shoqërisë civile dhe vëzhgimi i ndërkombëtarëve dukej se ja dështoi planin fillestar. Ai komision e ka marr damkën ndaj duhej një formë tjetër për të arritur qëllimin e paracaktuar në kohën e shpejtë të fushatës.
Koha erdhi, komisioni skishte avancuar, shfrytëzimi i vrasje ishte mundësia që pa Rama për të arritur vrasjen e paramenduar të lirisë së shprehjes në Tik Tok.
Tik Tok është një platformë që përdoret efektivisht nga aktivistët dhe nga opozita për të mobilizuar qytetarët, për të ndarë denoncime dhe për të nxitur transparencën. Sepse është një rrjet për të cilin qeveria ende nuk ka krijuar një model “ndryshimi” të shikueshmërisë sipas mekanizmave të saj, report, shadowban dhe “Aktivisti”.
Të rinjtë, janë përdoruesit kryesor të TikTok dhe ata që mund të ndryshojnë rezultatin elektoral të zgjedhjeve të ardhshme, duke mos lejuar të “hanë sapunin për djath” nga lavazhi i trurit i propagandës në mediat tradicionale.
Këto janë arsyet e vërteta që fsheh vrasja e paramenduar e Tik Tok, të cilën ne nuk mund ta lejojmë.
Sot Tik Tok, nesër çdo hapësirë lirie dhe shprehje. Nuk e falim lirinë!” – shkruan Zhupa.