Vendosni fjalën kyçe....

Trump kërcënon BE-në: Blini naftë e gaz nga SHBA-ja ose përballuni me tarifa


 

Presidenti i sapozgjedhur i SHBA-së, Donald Trump tha të premten se Bashkimi Evropian duhet të rrisë importet e naftës dhe gazit nga SHBA-ja ose të përballet me tarifa mbi eksportet e bllokut që përfshijnë mallra të tilla si pajisje të ndryshme dhe makineri.

BE-ja tashmë blen pjesën më të madhe të eksporteve të naftës dhe gazit amerikan, sipas të dhënave të qeverisë amerikane.

Nuk ka vëllime shtesë tani për tani në dispozicion pasi Shtetet e Bashkuara po eksportojnë me kapacitet të plotë, por Trump është zotuar të rrisë më tej prodhimin e naftës dhe gazit të vendit.

“I thashë Bashkimit Evropian se ata duhet të plotësojnë deficitin e tyre të jashtëzakonshëm me Shtetet e Bashkuara me blerjen në shkallë të gjerë të naftës dhe gazit tonë,” tha Trump në një postim në Truth Social.

“Përndryshe do ketë tarifa!!!”, shtoi ai.

Komisioni Evropian tha se ishte i gatshëm të diskutonte me Trump se si të forconte atë që ai e përshkroi si një marrëdhënie tashmë të fortë, përfshirë në sektorin e energjisë.

“BE-ja është e përkushtuar të heqë dalëngadalë importet e energjisë nga Rusia dhe të diversifikojë burimet tona të furnizimit,” tha një zëdhënës.

Shtetet e Bashkuara kanë furnizuar tashmë 47% të importeve të gazit natyror të lëngshëm të Bashkimit Evropian dhe 17% të importeve të naftës në tremujorin e parë të vitit 2024, sipas të dhënave nga zyra e statistikave të BE-së, Eurostat.