Për të dytën herë SPAK kërkon pushimin e çështjes për Selim Çekajn


Për të dytën herë, SPAK ka kërkuar pushimin e çështjes për Selim Çekajn, babain e Arbër Çekajt, por gjykata ka shtyrë vendimin për në datën 27 dhjetor.

Sipas SPAK, akuza për përfshirjen e Selim Çekajt në trafik droge nuk vërtetohet, por gjyqtari Erion Bami ka theksuar se do të marrë një vendim pasi të njihet me vendimin e gjykatës për djalin e tij, Arbër Çekaj, i cili u dënua për trafik lëndësh narkotike.

Selim Çekaj u arrestua në tetor të vitit 2021, pasi brenda kontenierëve të kompanisë së tij u kapën 49 kg kokainë. Aktualisht, ai ndodhet pa masë sigurie.

Selim Çekaj është babai i Arbër Çekaj, i cili është i dënuar me 14 vite burg pasi u kap me 613 kg kokainë në magazinat e kompanisë së tij të bananeve “Arbri Garden” në Maminas, gjithashtu brenda një kontejneri. Në të njëjtën skemë u kap edhe Selim Çekaj, ku në kontejnerin që ai priste bananet e porositura nga Ekuadori përmes kompanisë së tij “EcoalMax”, policia zbuloi të fshehur 49 kg kokainë.

Kontejneri i Selim Çekaj ishte nën vëzhgim për një muaj, dhe kokaina ishte e ndarë në 31 pako të vendosura në shtyllat anësore të kontejnerit me banane, ndryshe nga sasia prej 613 kg kokainë që u kap te djali i tij, Arbër Çekaj, i cili kishte fshehur kokainën në dyshemenë e kontejnerit.