Dhjetëra mijëra studentë, fermerë dhe qytetarë u mblodhën më 22 dhjetor në sheshin “Slavija” dhe rrugët përreth në qendër të Beogradit për të kërkuar përgjegjësi për shembjen e një tende në stacionin hekurudhor në Novi Sad që vrau 15 njerëz më 1 nëntor. Ata kërkuan gjithashtu ndëshkimin e atyre që suluan studentët protestues.
Sipas të dhënave të ofruara nga organizata “Arhiv javih skupova”, e cila ka vlerësuar pjesëmarrjen në tubime publike që nga viti 1991, në protestë morën pjesë rreth 100 mijë persona, duke e bërë atë një nga më të mëdhatë në historinë e Serbisë. Policia ka lëshuar një deklaratë ku vlerëson se kanë marrë pjesë nga 28,000 deri në 29,000 qytetarë.
Para tubimit, në një deklaratë në rrjetet e tyre zyrtare sociale, organizatorët thanë se protesta ishte “një nismë jopartiake studentore” dhe se “përfaqësuesit e partive politike nuk janë të mirëpritur”.
Protesta është kulmi i protestave studentore që filluan në fund të nëntorit, pas një sulmi fizik ndaj studentëve të Fakultetit të Arteve Dramatike të cilët po përkujtonin viktimat e tragjedisë së Novi Sadit në rrugë. Këta studentë më pas hynë në një bllokadë në fakultetin e tyre, duke nisur një valë bllokadash nëpër universitetet e Serbisë, gjë që çoi në mobilizimin më të madh të studentëve në Serbi që nga vitet 1990.
Më shumë qytetarë dolën në rrugë në kryeqytetin serb sesa më 5 tetor 2000 kur u rrëzua Millosheviç
“Arhiv javnih skupova” vlerësoi se më shumë qytetarë dolën në rrugë të dielën sesa gjatë demonstrative të mëdha në Beograd, të cilat i dhanë fund sundimit të Sllobodan Millosheviçit më 5 tetor 2000. Mitingje më të vogla publike u mbajtën edhe në qytetet Nish dhe Kragujevc.
Sheshi “Slavija” heshti për 15 minuta të dielën vonë pasdite në nderim të viktimave në stacionin hekurudhor në Novi Sad, si pjesë e protestës së qytetarëve të shumtë, të cilët u mblodhën me ftesë të studentëve dhe fermerëve, të cilët gjithashtu po zhvillojnë protesta paralele. Protestuesit qëndruan në heshtje absolute për 15 minuta, me dritat e telefonit të ndezura.
Më pas filloi aksioni i quajtur “Gjysmë ore zhurmë”. Qytetarët bënë zhurmë duke përdorur fishkëllima dhe vuvuzela, duke brohoritur: “Vuçiç, largohu”, duke iu referuar presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç.
Disa nga pjesëmarrësit mbanin pankarta të mëdha ku shkruhej: “Të gjithë jemi nën tendë”, “Ju i keni duart me gjak”, “Grevë e përgjithshme” në referencë të protestave të viteve 1990, të cilat u shënuan edhe me pjesëmarrjen e nxënësve.
Pas protestës, studentët janë drejtuar drejt fakulteteve të tyre ku janë bërë bllokadat. Protesta ishte paqësore, pa incidente të mëdha.
Çfarë kërkojnë studentët?
Tubimet publike janë mbajtur që nga 1 nëntori në Novi Sad, Beograd dhe qytete dhe qyteza të tjera anembanë Serbisë. Studentët kanë bllokuar ndërtesat e fakulteteve që nga fundi i nëntorit dhe i gjithë Universiteti i Beogradit dhe Universiteti i Novi Sadit kanë hyrë në bllokadë gjatë dhjetorit.
Shumë nxënës të shkollave të mesme, si dhe mësuesit dhe sindikatat e arsimit, mbështetën studentët. Në kuadër të rritjes së numrit të nxënësve që bllokojnë shkollat e tyre të mesme, qeveria e Serbisë shpalli përfundimin e semestrit shkollor një javë më herët se sa ishte planifikuar fillimisht.
Disa nga kërkesat kryesore të studentëve përfshijnë lëshimin e dokumentacionit të plotë në lidhje me projektin e rindërtimit të stacionit të trenit në Novi Sad dhe ndjekjen penale të individëve që sulmuan studentët e Fakultetit të Arteve gjatë një proteste më 22 nëntor. Lista e personave që sulmuan studentët dhe të cilëve kërkohet ndjekja penale është rritur javët e fundit teksa sulmet ndaj protestuesve kanë vijuar të ndodhin.
Që nga shembja e tendës në Novi Sad, partitë opozitare kanë kërkuar dorëheqjen e qeverisë dhe ndjekjen penale të personave që janë përgjegjës. Në fund të nëntorit, prokuroria ka akuzuar gjithsej 13 persona, përfshirë ish-ministrin e Ndërtimit Goran Vesic, për tragjedinë dhe hetimet kundër tyre janë në vijim.
Një pjesë e publikut, megjithatë, vijon të mos i besojë gjyqësorit dhe thekson se nuk ka pasur akuza për korrupsion në lidhje me rindërtimin e stacionit hekurudhor të Novi Sadit, i cili përfundoi në fillim të këtij viti. Ekspertët kanë vlerësuar se çmimi i rindërtimit, i cili ishte jotransparent dhe i kryer pa konkurrencë publike, gjë që dyshohet të jetë rasti për shumë projekte infrastrukturore në Serbi.
Vuçiç: Të gjitha kërkesat e studentëve janë përmbushur
Menjëherë pas protestës së së dielës, presidenti serb Vuçiç postoi një video në llogarinë e tij në Instagram, në të cilën deklaroi se “mbledhja jashtëzakonisht e madhe” e njerëzve që, siç shtoi ai, ishin “të orientuar nga opozita” u zhvillua në Beograd.
“Besoj se shumë njerëz mendojnë ndryshe, ndaj duhet të dëgjojmë njëri-tjetrin që të vendoset si vlerë dhe një marrëdhënie tjetër në të ardhmen”, theksoi Vuçiç.
Megjithatë, në fjalimet e tij të mëparshme për media, Vuçiç pohoi se të gjitha kërkesat e studentëve janë përmbushur dhe se ai nuk ka pranuar asnjë kërkesë shtesë. Studentët hedhin poshtë deklaratat e Vuçiç se kërkesat e tyre janë plotësuar.
“Ata mund të bëjnë çfarë të duan për sa kohë që nuk rrezikojnë sigurinë e njerëzve. Ndryshe nga disa vende të tjera, ne nuk do dërgojmë polici apo forca të tjera në universitete. Ne respektojmë autonominë e universitetit”, tha ai.
Millosh Vuçeviç, kryeministër i Serbisë, deklaroi të hënën se ishte e padiskutueshme që kishte pasur shumë njerëz në protestën në “Slavija”, por se ai nuk e “kuptoi plotësisht” se cilat ishin kërkesat.
Vuçeviç adresoi gjithashtu kërkesën për një qeveri tranzitore, e cila nuk është bërë zyrtarisht as nga studentët dhe as nga opozita, por është ngritur si sugjerim nga disa komentues kritikë ndaj qeverisë.
“Ata duan të tregojnë se institucionet nuk funksionojnë, duan të paralizojnë shtetin dhe se rruga për të dalë nga kjo situatë është një qeveri kalimtare. Tani ka një problem, ata kurrë nuk do marrin mandat për përbërjen e qeverisë kalimtare nga Presidenti i Republikës”, tha Vuçeviç.
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e EWB
Përgatiti për Hashtag.al, Klodian Manjani