Partia Socialiste ka kundërshtuar ngritjen e Komisionit Hetimor për Portin e Durrësit, kërkesë e paraqitur nga Partia Demokratike.
Kreu i Grupit Parlamentar të PS-së, Niko Peleshi, ka reaguar gjatë Konferencës së Kryetarëve, duke theksuar se Parlamenti nuk ka kompetencën për të ngritur një komision hetimor për të kontrolluar vetveten.
Sipas tij, kjo kompetencë i takon vetëm Gjykatës Kushtetuese, e cila do të shqyrtojë ligjshmërinë e procedurave në lidhje me këtë çështje në muajin janar.
Peleshi ka deklaruar se kërkesa e opozitës për ngritjen e komisionit është një veprim politik, i cili synon të krijojë një situatë të paqëndrueshme dhe të pavërtetë në prag të zgjedhjeve.
Deklarata e Niko Peleshit:
Në përgjigje të kërkesës së 35 deputetëve të opozitës për ngritjen e Komisionit Hetimor të Kuvendit për kontrollin e ligjshmërisë në procedurat e:
•Miratimit të projektit “Marina & Jahtet e Durrësit”;
•Shitjes së koncesionit të menaxhimit të portit kompanisë Schapha d.o.o.;
•Ndërtimit të portit të ri në Porto Romano.
Së pari, kërkesa e depozituar nga deputetët e opozitës është formuluar dhe interpretuar ndryshe nga Z. Bardhi. Në thelb, kërkesa është për kontrollin e ligjshmërisë së procedurave, ndërsa Z. Bardhi e interpretoi atë si të lidhur me efektet e zbatimit të kontratës, duke e trajtuar kërkesën si të gabuar në mënyrë të tërthortë.
Parlamenti nuk mund të ngrejë një komision hetimor për të kontrolluar vetveten, pasi këtë kompetencë, sipas Kushtetutës, e ka Gjykata Kushtetuese. Është e njohur që Gjykata Kushtetuese do të shqyrtojë ligjshmërinë e këtyre procedurave në janar.
Ngritja e komisionit hetimor në këtë rast shkel hapësirën kontrolluese të Gjykatës Kushtetuese dhe tejkalon kompetencat e Kuvendit. Ky duket si një veprim politik në prag të zgjedhjeve, për të krijuar një situatë të pavërtetë dhe të paqëndrueshme.
Gjithashtu, është fakt që procedurat e këtij projekti kanë kaluar të gjitha hapat e kontrollit parlamentar gjatë miratimit në Kuvend.
Së fundmi, periudha zgjedhore kufizon funksionimin e komisioneve hetimore, pasi Parlamenti “ngrin” gjatë kësaj kohe, duke e bërë të pamundur ngritjen dhe funksionimin e komisionit në kushtet e propozuara.