Kryeministri Rama i thuri elozhe bashkëshortes së tij Linda të cilën e konsideroi opozitën e tij më të fortë në një formë ironie ndaj opozitës politike.
Në darkën e fundvitit me trupin diplomatik në Tiranë, kreu i qeverisë tha se fitorja e tij në zgjedhje vjen pasi është stërvitur mirë me opozitën e saj.
“Më lejoni ta mbyll me diçka të veçantë që thuhet lart e poshtë: “Ai fiton, se opozita është e dobët”.Më lini t’ju them se kjo është një gjysmë e vërtetë, pra një gënjeshtër e madhe, sepse, si burrë, isha i bekuar kur Linda ra dakord të martohej me mua. E si një rrjedhojë e paqëllimtë e këtij bekimi, ndodhi që u bëra kryeministër me të në krah, që do të thotë, me opozitën më të ashpër. Në shtëpi. Pa britma, pa sharje, pa shpifje, të cilat, në fund të fundit, i përballon lehtë, por me pyetje të vështira e me argumente të forta për t’u rrëzuar dhe, meqë ra fjala, ose natën vonë, ose herët në mëngjes. Pra, nëse ka një arsye kryesore për fitoret e mia, është se jam jo vetëm i stërvitur mirë, por edhe në mënyrë të pandërprerë me opozitën më të ashpër dhe më të mirëpërgatitur. Merreni kështu siç po ua them, mund të jetë edhe më keq sesa kaq sa po them.” – tha ndër të tjera Rama.