Mbreti Charles do të japë mesazhin e tij për ditën e Krishtlindjes nga një kishë e cila ka lidhje me komunitetin mjekësor.
Vendndodhja për transmetimin tradicional të Ditës së Krishtlindjes është Kapela Fitzrovia në Londrën qendrore, e cila dikur shërbente si kapelë e Spitalit Middlesex.
Eshtë hera e parë në më shumë se një dekadë që fjalimi i Krishtlindjes është regjistruar nga një vend që nuk është në një pallat apo pasuri mbretërore dhe kuptohet që Mbreti donte një vendndodhje me lidhje me ata që punonin në kujdesin shëndetësor.
Si një thyerje e traditës mbretërore vendi i përzgjedhur nga ai lidhet me trajtimet e tij të vazhdueshme për mposhtjen e kancerit. Monarku 76-vjeçar u diagnostikua me kancer në muajin Shkurt dhe u kthye në detyrë në Prill.
Fjalimi tradicional i monarkut, i regjistruar në fillim të këtij muaji, do të transmetohet si zakonisht në televizion dhe radio në orën 15:00 të ditës së Krishtlindjes.
Mbreti është filmuar pranë një peme të Krishtlindjes, e cila që atëherë është dhuruar në një bujtinë në Clapham. Mesazhi i Krishtlindjes i monarkut është regjistruar shpesh në Pallatin Buckingham ose në Kështjellën Windsor.
Mesazhi i fundit i filmuar jashtë një rezidence mbretërore ishte në vitin 2006 kur Mbretëresha e ndjerë Elizabeth II regjistroi mesazhin e saj në Katedralen Southwark.