Vendosni fjalën kyçe....

Irani heq kufizimet për WhatsApp dhe Google Play


Irani i ka hequr kufizimet për platformën online të aplikacioneve Google Play, si dhe për aplikacionin për mesazhe, WhatsApp, ka raportuar agjencia shtetërore e lajmeve IRNA.

Agjencia ka thënë se aplikacionet janë riaktivizuar nga autoritetet, dhe që bllokada pritet t’iu hiqet edhe disa aplikacioneve tjera.

Pas protestave masive të vitit 2022, autoritetet patën rritur kufizimet në internet, me qëllim të parandalimit të shpërndarjes së pamjeve nga protestat.

Megjithatë, presidenti iranian, Masoud Pezeshkian, i cili është ngjitur këtë vit në pushtet, e ka quajtur ndalesën absurditet dhe është zotuar për t’iu dhënë fund kufizimeve.

Ai mund të pretendojë tani fitore të pjesshme kundrejt politikanëve të linjës së ashpër.

Megjithatë, mbetet të shihet nëse në këtë shtet do të riaktivizohen edhe platformat tjera sikurse Instagrami, Facebooku, X, apo Telegrami.

Një pjesë e madhe e popullsisë iraniane i ka shmangur bllokadat në internet përmes rrjetit virtual privat (VPN).

Për më shumë, pothuajse e gjithë udhëheqësia politike në këtë shtet është prezente në plaformat e ndaluara sikurse X – i njohur më parë si Twitter, dhe Instagram.

Klerikët shiitë në Iran e konsiderojnë internetin si kërcënim për sistemin teokratik, dhe besojnë se aplikacionet kontrollohen nga armiqtë e huaj të Iranit, për të nxitur trazira në shtet, dhe për të minuar rolin e mediave shtetërore./REL