Vendosni fjalën kyçe....

Rama, Begaj dhe Kurti urojnë besimtarët e krishterë për Krishtlindje


Kryeministri Edi Rama ka uruar besimtarët e krishterë për festën e Krishtlindjes në një mënyrë të veçantë.

Në një postim në rrjetet sociale, Rama ka ndarë me ndjekësit një ikonë të restauruar të titulluar “Krishtlindja”, e realizuar nga mësues Kostandini në shekullin XVII dhe origjinën e saj nga Vithkuqi, Korçë.

Ai e ka cilësuar këtë ikonë si një dëshmi arti dhe besimi që ka mbijetuar për shekuj me radhë.

“MIRËMËNGJES dhe me këtë ikonë të saporestauruar, që na vjen si dëshmi arti dhe besimi që prej shek. XVII, ju uroj të gjithë besimtarëve të krishterë, Gëzuar Krishtlindjen,” shkruan Rama.

Nga ana tjeter edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka shprehur urimet e tij për festën, duke theksuar rëndësinë e kujdesit dhe dashurisë për të tjerët.

Në një postim në Facebook, Kurti ka shkruar: “Urime Krishtlindjen! Uroj që Krishtlindja të na e sjellë afër mendjes dhe zemrës se kujdesi dhe dashuria për tjetrin nuk duhen parë si privilegje.

Ato janë përgjegjësi ndaj çdonjërit që të jetojmë me dinjitet. Krishtlindja është edhe mirënjohje dhe falënderim. Le të reflektojmë me mirënjohje dhe falënderim për atë që kemi te njëri-tjetri.”

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, ka uruar gjithashtu Krishtlindjen për të gjithë besimtarët, duke u drejtuar përmes një postimi në rrjetet sociale.

Begaj shkruan: “Në këtë ditë të shenjtë të Krishtlindjes, dëshiroj të përcjell përshëndetjet dhe urimet më të përzemërta për ju dhe familjet tuaja.

Krishtlindja simbolizon lindjen e shpresës dhe paqes dhe na fton të reflektojmë mbi vlerat më të larta të njerëzimit: dashuria, solidariteti, mirëkuptimi dhe falja.

Për të gjitha familjet shqiptare brenda dhe jashtë vendit, uroj Krishtlindje të gëzuara, shëndet, paqe dhe lumturi.”