Koordinatori i Programit Ekonomik në PD, Dorian Teliti, tha sot se bonuset e qeverisë për fundin e vitit apo ai i pranverës nuk janë gjë tjetër veç masa elektorale të lidhura me zgjedhjet e 11 majit.
Ai theksoi se qeveria kujtohet për pensionistët vetëm kur afrohen zgjedhjet ndërsa shtoi se gjendja e varfërisë në Shqipëri është shqetësuese.
“Kemi kërkuar nga mazhoranca që kur kemi kaluar në opozitë që qeveria të vijojë me shpërblimet e fundvitit. Këto të fundit janë një kujtim i të kaluarës tashmë, por duke qenë se jemi afër zgjedhjeve, qeveria u kujtua që pensionistët qenkan të varfër dhe u mundua të gjejë ato paratë për bonusin elektoral. E njëjta gjë po bëhet me punëtorët e administratës publike për ata që kanë paga të ulëta, afër minimales. Bonusi i pranverës është po ashtu një lëvizje elektorale. PD e zbuti varfërinë kur ishte në qeveri, këto janë shifra të Bankës Botërore. UNICEF thotë se 47% e fëmijëve shqiptarë janë të kequshqyer. Kjo vjen si pasojë e mangësive financiare të familjeve. Jemi në një situatë alarmante. Kjo vlen edhe për pensionistët, sa janë rritur pensionet gjatë qeverisë së Ramës? Çmimet janë rritur shumë më shumë. Praktikisht pensionistët janë varfëruar më shumë”, tha Teliti në News24.