Vendosni fjalën kyçe....

“Trump ka plan të qartë për marrjen e Groenlandës dhe Kanalit të Panamasë” – New York Post


Sipas burimeve pranë presidentit të zgjedhur, Donald Trump e ka “100% seriozizht” dëshirën për të përvetësuar Groenlandën dhe Kanalin e Panamasë si territor amerikan, duke shtuar se ai ia kishte vënë syrin Groenlandës edhe gjatë mandatit të parë.

Gjatë fundjavës, Trump, publikoi idenë e “pronësisë dhe kontrollit të Groenlandës” nga SHBA-ja dhe rimarrjes së Kanalit të Panamasë për shkak të “tarifave të kripura” për anijet amerikane.

Trump gjithashtu i është referuar Kanadasë për javë të tëra si një “shtet” i mundshëm i SHBA-së me kryeministrin Justin Trudeau si “guvernator” të tij, megjithëse kjo është vetëm një shaka, thanë burimet.

Por ai nuk po bën shaka kur bëhet fjalë për Groenlandën dhe kanalin si pjesë e strategjisë së tij për t’u përballur me Kinën dhe Rusinë, thanë burimet.

Zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë dhe të Departamentit të Thesarit në administratën e parë të Trump madje shkuan aq larg sa të studionin nga afër se si të negociohej dhe financohej marrja e Groenlandës, ishulli më i madh në botë, thanë për The New York Post dy burime të mandatit të parë të Trump.

Një plan i mundshëm për t’u mbushu mendjen mbi 56,000 banorëve kryesisht Inuit të Greonlandës gjysmëautonome u zhvillua gjatë vitit të fundit të Trump në detyrë, thanë burimet.

Lëvizja erdhi pasi një koncept i krijuar më hollësisht u prezantua dhe u rrëzua nga zyrtarët danezë dhe ata të Groenlandës në vitin 2019. Groenlanda ka qeverinë e vet, por është pjesë e Danimarkës.

Ideja bazë në fund të mandatit të parë të Trump ishte – dhe ka të ngjarë të jetë akoma – që së pari t’u mbushte mendjen banorëve relativisht të varfër të Groenlandës, të cilët më pas do ratifikonin vendimin e tyre nga Danimarka përpara dorëzimit, thanë burimet.

Ky transferim i pushtetit ka të ngjarë të vijë në formën e një kompaktësie të bashkimit të lirë, të ngjashme me marrëdhëniet e SHBA-së me kombet ishullore të Paqësorit, Palau, ishullin Marshall dhe Mikronezinë.

“Ajo që ne po përpiqeshim të gjenim në fund të mandatit të parë të Trump ishte një marrëveshje me tre drejtime ku fitonin të gjithë”, tha për The Post ish-zyrtari i Departamentit të Thesarit, Thomas Dans.

“Ne po ecnim me shpejtësi në këtë drejtim deri në ditët e fundit. Shpresa jonë ishte që administrata e Biden-it do ta çonte përpara këtë plan”, tha Dans.

“Ne ishim të gatshëm të bënim diçka.”

Dans, i cili ka një histori familjare me Groenlandën që daton nga vendosja e gjyshit të tij atje gjatë Luftës së Dytë Botërore, tha: “Ajo që mungonte në të parën (konsiderata e blerjes së Groenlandës në 2019) ishte një kuptim i vërtetë i pozicionit të groenlandëzëve brenda Mbretërisë të Danimarkës.

“Atyre tashmë u është dhënë në në Aktin e Vetëqeverisjes së Groenlandës, i miratuar nga Danimarka në vitin 2009, një njohje e së drejtës së tyre për vetëvendosje dhe rrugës së përcaktuar drejt pavarësisë,” tha Dans, që do të thotë se banorët mbajnë çelësin e çdo ndryshimi në statusin e ishullit.

“Është pothuajse një kontratë pa vlerë, ku groenlandezët mbeten të varur nga një subvencion ekonomik që Danimarka u dërgon dhe në thelb duhet të hapin rrugën e tyre drejt një të ardhmeje të re. Ata janë të pasur me pasuritë që ka ishulli por të varfër në të ardhura”, tha Dans.

Kanali i Panamasë

Financimi i fazave të hershme të një blerjeje nuk do kërkonte domosdoshmërisht miratimin e Kongresit, megjithëse aleatët republikanë të Trump do kontrollojnë dy dhomat e Kongresit vitin e ardhshëm.

“Departamenti i Thesarit ka shumë autoritete që mund t’i sjellë për të vepruar për gjëra të tilla,” tha Dans, i cili ka luajtur një rol të rëndësishëm në diplomacinë për çështjen në fjalë, duke përfshirë sjelljen e një prej ndikuesve kryesorë të mediave sociale të Groenlandës në festën e vëzhgimit të natës së zgjedhjeve të Trump në West Palm Beach.

“Ky është vendimi i Presidentit Trump. Mendoj se nga ajo që tha dje, ai e kupton rëndësinë.”

Një tjetër zyrtar i mandatit të parë të Trump, i cili punoi në planifikim tha: “Nuk është diçka e pamundur“, duke vënë në dukje: “Ne blemë Alaskën nga Rusia në 1867 për 7.2 milionë dollarë.”

“Njerëzit po sillen sikur bëhet fjalë për diçka të pamundur, ide të çmendur. Nuk është aspak e tillë,” tha ish-zyrtari, i cili vuri në dukje se blerja e Alaskës në atë kohë konsiderohej me tallje si “Marrëzia e Seward”, duke iu referuar Sekretarit të Shtetit të atëhershëm William Seward përpara se pozita strategjike e shtetit të 49-të dhe burimet energjetike të bëheshin të dukshme.

“Gjithçka është në shitje, mjafton të aguhet çmimi i duhur”, tha burimi.

“Trump në mënyrë të qartë nuk po bën shaka,” tha një burim tjetër.

“Ai po sinjalizon natyrën serioze dhe peshën e asaj që do të thotë të kesh një Amerikë ambicioze dhe çfarë do të thotë të kesh lidership në skenë. Në bisedat e mia me zyrtarë të ardhshëm dhe ish-zyrtarë të sigurisë kombëtare, ky është një mesazh i drejtpërdrejtë për Kinën”, shtoi burimi.

Trump vuri në dukje shqetësimin e tij për rënien e Kanalit të Panamasë në “duart e gabuara” – veçanërisht në duart e Kinës – në komentin e tij të fundjavës. Ai përmendi gjithashtu konsideratat e “sigurisë kombëtare” që përfshijnë ishullin e madh Arktik të Groenlandës, i cili është ushtarakisht i rëndësishëm për radarët dhe i afrohet korsive të anijeve në Atlantikun e Veriut.

Shtetet e Bashkuara pushtuan Panamanë në 1989 dhe rrëzuan udhëheqësin e saj autoritar Manuel Noriega pjesërisht për shqetësimin rreth kanalit të ndërtuar nga SHBA, të cilin Amerika e kontrolloi derisa Presidenti Jimmy Carter e ktheu Zonën e Kanalit te Panamaja në vitin 1979.

Kanali që lidh oqeanin Atlantik dhe Paqësor drejtohet nga Republika e Panamasë dhe një Traktat Asnjanësie ndërmjet SHBA-së dhe Panamasë siguron që kanali të mbetet asnjanës për të gjitha vendet pa tarifa diskriminuese.

Shtetet e Bashkuara kanë ende të drejtën, sipas traktatit, të ushtrojnë forcë ushtarake nëse mendojnë se kanali është nën kërcënimin për të mos qenë më asnjanës.

Yleem Poblete, një ndihmës Sekretar i Shtetit gjatë mandatit të parë të Trumpit, përshëndeti komentin e presidentit të zgjedhur si pjesë e një “ndryshimi të mirëseardhur” në rinovimin e fokusit të Amerikës në hemisferën perëndimore.

“Komentet e tij të fundit pasqyrojnë një kuptim të qartë të kërcënimeve dhe mundësive në mbarë Amerikën dhe vizionin e tij për të projektuar udhëheqjen e SHBA-së dhe për të sjellë një epokë të re të madhështisë amerikane dhe sigurisë dhe prosperitetit të hemisferës,” tha Poblete.

Ajsbergët notojnë pranë qytetit Kulusuk në Groenlandë

Departamenti i Shtetit ka shprehur shqetësimin për bashkëpunimin e Kinës me Rusinë për të fituar më shumëqasje në Arktik për burimet natyrore dhe zgjerimin gjeopolitik.

Ekziston një precedent historik për transferimin e teorizuar të Groenlandës te SHBA-ja: Danimarka në vitin 1917 i shiti Ishujt e Virgjër te SHBA-ja për 25 milionë dollarë.

Një burim i afërt me Trump në West Palm Beach tha se presidenti i zgjedhur “është i mendimit se perandoritë që nuk rriten, fillojnë të rrënohen.

“Ai është student i historisë dhe kjo është një nga shkollat ​​e mendimit”, tha burimi.

“Ai me të vërtetë favorizon presidentët e kaluar që ishin ekspansionistë në kontinent.”

Megjithëse interesi i Trump për blerjet territoriale është serioz, nëse Danimarka dhe Panamaja nuk do binden t’i lëshojnë terriroret, është e mundur që propozimet e SHBA të shndërrohen në atë që përbën një taktikë pazari që mund të ulë tarifat e kanalit ose të lejojë një rol më të madh ushtarak të SHBA-së në Groenlandë, theksuan burimet.

“Unë nuk mendoj se ai do fillojë të pushtojë territoret, por ndonjëherë ju e kaloni kufirin çmendurisht për të përfunduar atje ku në të vërtetë shpresoni të arrini, duke përmbyllur një pazar me vlerë,” tha burimi i Palm Beach.

Objektivat e politikës së jashtme të Trump pothuajse menjëherë morën përgjigje të prera nga udhëheqësit e Groenlandës dhe Panamasë, duke hedhur ujë të ftohtë mbi idetë e tij.

Presidenti i Panamasë, José Raúl Mulino, postoi një video duke deklaruar: “Çdo metër katror i kanalit i përket Panamasë dhe do vijojë të jetë kështu “.

Kryeministri i Groenlandës Mute Egede shkroi në internet, “Groenlanda është e jona. Ne nuk jemi në shitje dhe nuk do jemi kurrë në shitje. Ne nuk duhet ta humbim luftën tonë të gjatë për liri.”

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e NY Post

Përgatiti për Hashtag.al, Klodian Manjani