Vendosni fjalën kyçe....

Drejtuesit e rinj të Sirisë paralajmërojnë kundër tensioneve në rritje


Autoritetet e reja të Sirisë filluan të enjten një goditje për ëtë rivënë sigurinë në një rajon bregdetar ku 14 policë u vranë një ditë më parë, duke u zotuar se do shkatërrojnë  “mbetjet” e qeverisë së rrëzuar të Bashar al-Assad që janë akuzuar për sulmin, raportuan mediat.

Dhuna në provincën Tartous, pjesë e rajonit bregdetar që është shtëpia e shumë anëtarëve të sektit alavit të Asadit, ka shënuar sfidën më vdekjeprurëse për autoritetet e udhëhequra nga drejtuesit e rinj sunitë, të cilat e larguan atë nga pushteti më 8 dhjetor.

Anëtarët e pakicës alavite, një degë e islamit shiit, patën një ndikim të madh në Sirinë e udhëhequr nga Asad, duke mbizotëruar forcat e sigurisë që ai përdori kundër kundërshtarëve të tij gjatë luftës civile 13-vjeçare dhe për të shtypur disidencën gjatë dekadave të shtypjes së përgjakshme nga shteti i tij policor.

Forcat e sigurisë filluan operacionin Tartous për të “kontrolluar sigurinë, stabilitetin dhe paqen civile, dhe për të goditur mbetjet e milicive të Asadit në pyje dhe kodra”, njoftoi agjencia shtetërore e lajmeve SANA.

Goditja u njoftua pasi autoritetet e Damaskut paralajmëruan për një përpjekje për të nxitur grindje sektare, pasi një video që daton nga fundi i nëntorit qarkulloi në mediat sociale që tregonte një zjarr brenda një faltoreje alavite në Aleppo. Ministria e Brendshme tha se grupe të panjohura kryen dhunën dhe se forcat e saj po punonin “natë e ditë” për të mbrojtur objektet fetare.

Hayat Tahrir al-Sham (HTS), ish dega e Al Kaedës që udhëhoqi fushatën rebele që rrëzoi Asadin, është zotuar vijimëisht se do mbrojë pakicat, të cilët kanë frikë se sundimtarët e rinj mund të kërkojnë të imponojnë një qeveri islamike. Shumë anëtarë të grupeve minoritare, përfshirë të krishterët, janë të shqetësuar.

Dhuna sektariane e raportuar në Damask

Në një lagje me mbizotërim alavit të Damaskut, sheiku alavit Ali Dareer tha se shtëpitë ishin vandalizuar dhe njerëzit ishin rrahur në bazë të identitetit të tyre fetar, pavarësisht premtimeve të HTS se sekti i tyre do trajtohej me respekt. Ai fajësoi “një palë të tretë” që po përpiqej të nxiste mosmarrëveshje.

Dareer i tha Reuters se komuniteti i kishte shtrirë dorën qeverisë së re, por “ka pasur shumë shkelje”, duke përmendur disa rrëfime të njerëzve që janë rrahur në një pikë kontrolli.

Një luftëtar i HTS në zonë tha se kishte pasur një incident të enjten në të cilën alavitët u zbritën nga autobusi dhe u rrahën për shkak të fesë së tyre, por mohoi që HTS ishte përgjegjës.

“Kjo është një çështje rebelimi dhe ne nuk duam të tërhiqemi në të,” tha Dareer.

“Mijëra njerëz janë të mbushur me pakënaqësi, ankth dhe po fyhet dinjiteti i tyre”, tha ai.

“Megjithatë, ne duhet të mbetemi të përkushtuar ndaj paqes.”

Taher Dawwa, një alavit 38-vjeçar i cili ishte vullnetar ushtarak nën Asad, tha se “barra e të gjitha gabimeve” nuk duhet t’i vendoset një sekti.

“Ne nuk duam ndarje”.

Lufta siriane mori dimensione sektare ndërsa Asad tërhoqi milicitë shiite nga e gjithë Lindja e Mesme, të mobilizuara nga aleati i tij Irani, për të luftuar kryengritjen e mbizotëruar nga anëtarët e shumicës myslimane sunite.