Vendosni fjalën kyçe....

Pasuritë e paluajtshme kryesojnë investimet e huaja për të tretin vit radhazi


Sektori i pasurive të paluajtshme po dominon investimet e huaja për të tretin vit radhazi në 2024. Investimet e huaja në prona pësuan rënie vjetore në tremujorin e tretë të vitit, por megjithatë vazhdojnë të jenë sektori kryesues për investimet e huaja në ekonominë shqiptare.

Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, për tremujorin e tretë 2024 investimet e të huajve në pasuri të paluajtshme në Shqipëri kishin vlerën e 88 milionë eurove, 7.4% më pak krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Pavarësisht rënies, ky sektor kryesoi flukset e investimeve të huaja direkte si për 3-mujorin e tretë, ashtu edhe për të gjithë 9-mujorin 2024.

Investimet e huaja në pasuri të paluajtshme për 9-mujorin 2024 arritën vlerën e 269 milionë eurove. Vlera e investimeve të huaja në prona është rritur me 21% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Investimet në këtë sektor përbëjnë më shumë 23% të investimeve të huaja për këtë vit.

Blerjet e shtetasve të huaj në vitet e fundit kanë qenë një faktor me peshë në tregun e pronave në Shqipëri dhe kanë luajtur një rol të konsiderueshëm në rritjen e çmimit të pronave, veçanërisht në zonat bregdetare të vendit.

Pas pasurive të paluajtshme, sektori me vlerën më të lartë të investimeve të huaja është ai financiar. Vlera e investimeve të huaja në degën e aktiviteve financiare dhe të sigurimit për 9-mujorin 2024 arriti në 206 milionë euro, në rritje me 24% krahasuar me të njëjtën periudhë të nëj viti më parë. Rritja e vlerës së investimeve të huaja në këtë sektor duket se është e lidhur kryesisht me rritjen e kapitalit dhe investimeve nga subjektet ekzistuese në treg.

Kuadri i ri i rregullator, që ka nisur të zbatohet prej vitit 2019, ka detyruar bankat të rrisin gradualisht kapitalin aksioner, kryesisht duke kapitalizuar fitimet e akumuluara të aktivitetit përveçse duke rritur edhe përdorimin e instrumenteve të borxhit që njihen si kapital rregullator.

Ndërkohë, rritja e normave të interesit pas vitit 2022 ka ndikuar pozitivisht fitimet e sektorit bankar në vend, dukendikuar pozitivisht edhe ecurinë e fitimeve të riinvestuara.

Sektori i tretë për nga vlera e investimeve të huaja është ai i industrisë nxjerrëse. Për 9-mujorin 2024, investimet në sektorin e industrisë nxjerrëse arritën në 161 milionë euro. Megjithatë, investimet në industrinë nxjerrëse kanë pësuar rënie me 28% krahasuar me një vit më parë. Flukset në këtë sektor konsistojnë kryesisht në fitime të riinvestuara të kompanive ekzistuese në aktivitetin e nxjerrjes së naftës bruto.

Një sektor ku këtë vit po shënohet rritje e ndjeshme e investimeve të huaja direkte është industria përpunuese. Për 9-mujorin, investimet e huaja në këtë sektor arritën në 138 milionë euro, në rritje me 62% krahasuar me një vit më parë.

Sektori energjetik renditet i pesti për nga vlera e investimeve të huaja direkte, me 130 milionë euro për 9-mujorin 2024. Megjithatë, edhe në këtë sektor vlera e investimeve të huaja paraqitet në rënie, me 9% më pak krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Energjetika udhëhoqi rritjen e investimeve të huaja direkte në Shqipëri për vite me radhë, kryesisht falë investimit madhor në gazsjellësin TAP, por edhe projekteve të tjera, sidomos në energjinë hidrike. Në vitet e fundit, ka një rritje të interesit kryesisht në ndërtimin e parqeve fotovoltaike, që prodhojnë energji diellore.

Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, investimet e huaja direkte në 9-mujorin e parë të vitit arritën një shifër rekord prej 1.16 miliardë eurosh, niveli më i lartë historik i regjistruar ndonjëherë për këtë periudhë të vitit. Vlera e investimeve të huaja direkte deri tani këtë vit paraqitet në rritje me 5% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Megjithatë, duhet thënë se rritja e investimeve të huaja po mbështetet në një shkallë të konsiderueshme nga forcimi i lekut në kursin e këmbimit. Veçanërisht fitimet e riinvestuara të ndërmarrjeve të huaja, janë rritur nga efekti statistyikor i mbiçmimit të lekut kundrejt euros.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor