Vendosni fjalën kyçe....

Berisha: Skap-i po përdoret si organizatë kriminale nga Edi Rama


Kreu i PD-së Berisha tha se kryebashkiaku i Tiranës Veliaj është refuzuar katër herë nga zv.kryeministri Arben Ahmetaj lidhur me incineratorin e Tiranës dhe SPAK në vend që të arrestojë kryebashkiakun e Tiranës, ka nxjerrë urdhërarrest ndaj  ish-numrit dy të qeverisë, i cili është shpallur në kërkim.

Gjatë një bashkëbisedimi me demokratët e Degës 7 në Tiranë, ai tha se qeveria është e kalbur nga koka te këmbët ndërsa vlerësoi qytetarët për protestën e tyre për 40 javë resht para Bashkisë Tiranë, që sipas tij kishte ndikuar në hetimet e SPAK ndaj Veliajt.

“Erion Veliaj, u refuzuan 4 herë nga Arben Ahmetaj, se duhet t’i themi gjërat. Ne kurrë nuk duhet të heqim dorë nga e vërteta miqtë e mi, asnjëherë. Arben Ahmetaj, e kishte refuzuar 4 herë kërkesën e tij, dhe herën e pestë i thotë: ka miratuar këshilli. Natyrisht, në rast se do e kishte miratuar këshilli, qeveria qendrore me Kushtetutë, në mënyrë absolute dhe kategorike nuk mund të ndërhynte. Dhe ky, në këtë rast thotë mirë, e ka miratuar këshilli. Dhe këta na marrin dhe arrestojnë Arben Ahmetajn për këtë djegës, dhe nuk i bëjnë një akuzë të vetme Erion Veliajt. Dhe, e përorur pra, Skapi i përdorur si organizatë kriminale nga Edi Rama e përjashton nga çdo formë përgjegjësie. Po nuk e falët ju. Ata e falën, por ju nuk e falët. Ju u mblodhët 40 herë, 40 javë me rradhë.” – tha Berisha.

Kreu i PD-së tha se SPAK-u po përdoret si organizatë kriminale nga kryeministri Rama duke përjashtuar kryebashkiakun Veliaj nga çdo lloj përgjegjësie.

“Të dashur miq, ne përballë kemi një ngrehinë të kalbur, kemi një regjim të kalbur nga koka te këmbët. Ato që ju dëgjoni këto ditë për kryevjedhësin e kryeqytetit, ato janë realitet po kaq i trishtë për organizatën kriminale që quhet qeveri, dhe institucionet e tjera të vendit. Por, është në meritën tuaj të madhe që, 40 javë rrethuat çdo javë Bashkinë e Tiranës për dinjitetin e çdo qytetari te Tiranës, për dinjitetin e shtëpisë së parë të bashkisë, pasi Erion Veliaj do regjistrohet në analet e zeza të historisë, si një nga hajdutët më të shpërfytyruar dhe më të papërmbajtur të kësaj toke. Ju, protestuat 40 javë, dhe them edhe njëherë, korrespondon të jetë në të 40-tat e tij. Ndaj një njeriu që kishte përfytyruar kryeqytetin e vendit që është truri i vendit, si një qytet i budallepsur dhe pa tru, dhe u thoshte qytetarëve se kam mbjellur 1 milionë pemë dhe besonte se duke deklaruar se ka mbjellur 1 milionë pemë, do mund të justifikonte vjedhjen e dhjetëra e dhjetëra milionë eurove me pemë që nuk i mbolli kurrë.” – tha Berisha.

SIpas kreut të PD-së, Veliaj ka kërkuar dhënien me koncesion të ndërtimit e përdorimit të incineratorit të Tiranës dhe se afera ishte paracaktuar për t’u vjedhur me kryeministrin Rama.

“Erion Veliaj, ishte njeriu që kërkoi me shkrim dhënien me koncension të ndërtimit dhe të përdorimit të djegësit të Tiranës. Ishte njeriu që, mashtroi me shkrim se Këshilli Bashkiak ka vendosur të përballojë bashkia shpenzimet për ndërtimin e tij, në një kohë kur, këshilli bashkiak nuk ishte mbledhur kurrë. Në një kur, me Kushtetutë dhe ligje, kryetari i bashkisë, as edhe kryeministri, por kryetari i bashkisë nuk ka të drejtë asnjë qindarkë të lëvizë pa këshillin bashkiak. Por, ai e kishte paracaaktuar për të vjedhur me Edi Ramën. Erion Veliaj, kishte firmosur me Damian Gjiknurin fillimisht, dhe pastaj Belinda Ballukun, se do të mbikqyrte ndërtimin e djegësit dhe do të raportonte çdo muaj situacionet.” – shtoi Berisha.