Gjykata e Posaçme kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit ka pranuar kërkesën e SPAK dhe ka vendosur të pushojë çështjen ndaj Selim Çekajt, i cili ishte hetuar për trafikimin e 49 kg kokainë nga Amerika Latine në Shqipëri më 1 prill të 2021.
Çështja fillimisht ishte hetuar nga Prokuroria e Durrësit dhe më pas u kalua për kompetencë në SPAK. Pas disa vitesh hetimesh, SPAK nuk arriti të gjejë prova që lidhnin Selim Çekajn dhe kompaninë e tij, ECOALMAX, me trafikun e drogës.
Selim Çekaj është babai i Arbër Çekajt, i cili është dënuar me 14 vite burg për trafikimin e kokainës, duke përfshirë një sasi rekord prej 613 kg që u kap në Shqipëri. Edhe në një tjetër rast, në një konteiner me banane të porositur nga Selim Çekaj, u gjet kokainë, por nuk u provua përfshirja e tij në këtë ngjarje.
SPAK kishte kërkuar më herët pushimin e çështjes, por Gjykata e Posaçme e ktheu çështjen për kryerjen e disa hetimeve shtesë.