Vendosni fjalën kyçe....

Investimet turke kanë arritur në gati 1.2 miliardë euro


Turqia, në dekadat e fundit, ka qenë një ndër investitorët e huaj më të rëndësishëm në Shqipëri, ndërsa vlera e investimeve turke ka ardhur në rritje të vazhdueshme në vitet e fundit. Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, në mesin e vitit 2024, stoku i investimeve turke arriti vlerën e 1.16 miliardë eurove.

Në dekadën e fundit, vlera e investimeve turke është rritur me më shumë se tre herë.

Megjithatë, rritja në stokun e investimeve nuk lidhet vetëm nga flukset e reja, por në të duhen llogaritur edhe ndryshimet nga kursi i këmbimit, ndryshimet nga çmimi dhe ndryshimet e tjera.

Kjo nënkupton se stoku i investimeve të huaja rivlerësohet në mënyrë periodike, duke reflektuar edhe ndryshimin e çmimit të aseteve. Për këtë arsye, shpesh stoku i investimeve për një sektor apo investitor të huaj mund të rritet, pavarësisht ecurisë së flukseve të reja.

Bazuar në metodologjitë e përdorur për matjen e investimeve të huaja, flukset e reja vlerësohen me kursin e këmbimit mesatar të periudhës, ndërkohë që stoku vlerësohet me kursin e ditës së fundit të periudhës.

Madje, gjatë gjysmës së parë të vitit 2024, Turqia ishte investitori më i madh i huaj edhe për flukset e reja të Investimeve të Huaja Direkte. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, për 6-mujorin e parë të vitit, investimet e kompanive me kapital turk arritën vlerën e 146 milionë eurove, me një rritje prej 115% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Ndërmarrjet turke kanë një rol të rëndësishëm në ekonominë shqiptare, sidomos në sektorin financiar, atë energjetik, në industrinë nxjerrëse apo edhe në ndërtim.

Disa prej investitorëve më të rëndësishëm turq në Shqipëri janë grupi Çalik në Bankën Kombëtare Tregtare, grupi Yildirim, në Albchrome, Ayen Enerji, në Ayen AS Energji, Kurum, në Kurum International, etj.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor