Nju Jorku do gjobisë kompanitë e naftës, benzinës e gazit me 75 miliardë dollarë


Shteti i Nju Jorkut do gjobisë kompanitë e lëndëve djegëse si nafta e benzina me një total prej 75 miliardë dollarësh gjatë 25 viteve të ardhshme për të paguar dëmet e shkaktuara prej tyre te klima, sipas një projektligji që Guvernatorja Kathy Hochul nënshkroi të enjten.

Ligji synon të zhvendosë disa nga kostot e rikuperimit dhe përshtatjes së ndryshimeve klimatike nga taksapaguesit individualë tek kompanitë e naftës, gazit dhe qymyrit që ligji thotë se janë përgjegjëse për ndotjen. Paratë e mbledhura do shpenzohen për zbutjen e ndikimeve të ndryshimeve klimatike, duke përfshirë përshtatjen e rrugëve, tranzitit, sistemeve të ujit dhe kanalizimeve, ndërtesave dhe infrastrukturës.

“Nju Jorku ka dhënë një goditje që do dëgjohet në mbarë botën: Kompanitë që janë më përgjegjëse për krizën klimatike do mbajnë përgjegjësi,” tha në një deklaratë Senatorja e Nju Jorkut Liz Krueger, një demokrate që bashkëpropozoi projektligjin.

Kompanitë e lëndëve djegëse fosile do gjobiten në bazë të sasisë së gazeve serrë që lëshuan në atmosferë ndërmjet viteve 2000 dhe 2018, për të financuar një Superfond Klimatik duke filluar nga viti 2028. Do zbatohet për çdo kompani që Departamenti i Ruajtjes së Mjedisit të Nju Jorkut përcakton se është përgjegjës për më shumë se 1 miliard ton emetime globale të gazeve serrë.

Nju Jorku bëhet shteti i dytë që miraton një ligj të tillë pasi Vermonti miratoi versionin e tij këtë verë. Ligjet janë modeluar sipas ligjeve ekzistuese shtetërore dhe federale të superfondit që kërkojnë nga ndotësit të paguajnë për të pastruar mbetjet toksike.

Riparimi i dëmeve dhe përshtatja ndaj ndryshimeve klimatike të shkaktuar nga ndotja do t’i kushtojë Nju Jorkut më shumë se 500 miliardë dollarë deri në vitin 2050, tha Krueger. Kompanitë e mëdha të naftës bënë më shumë se 1 trilion dollarë fitime që nga janari 2021 dhe e kanë ditur të paktën që nga vitet 1970 se nxjerrja dhe djegia e lëndëve djegëse fosile ndikojnë në ndryshimin e klimës, tha ajo.

Vendet që negociojnë një traktat global për të frenuar ndotjen plastike nuk arritën marrëveshje të hënën. Kompanitë e energjisë pritet të paraqesin sfida ligjore ndaj ligjit të ri, duke argumentuar se ai parandalohet nga ligji federal që rregullon kompanitë e energjisë dhe ndotësit.