Përplasja me 39 viktima në Kazakistan/ “Aeroplani u rrëzua pas “ndërhyrjes nga jashtë” – Dëshmitë


Drejtuesit e kompanisë Azerbaijani Airline thanë se avioni që u rrëzua në Kazakistan ditën e Krishtlindjeve përjetoi “ndërhyrje të jashtme fizike dhe teknike”, sipas një hetimi të hershëm, ndërsa pyetjet po vërtiten rreth përfshirjes së mundshme të Rusisë në katastrofë.

Të paktën 38 nga 67 personat në bordin e avionit u vranë në përplasje, konfirmuan autoritetet kazake, duke përfshirë dy pilotë dhe një stjuardesë. Udhëtarë nga Azerbajxhani, Rusia, Kazakistani dhe Kirgistani ishin në mesin e atyre në bord, sipas të dhënave paraprake nga Ministria e Transportit e Kazakistanit.

Një udhëtar i tha Reuters në një intervistë të premten se ai nuk mendonte se do mbijetonte pasi dëgjoi një zhurmë të fortë dhe avioni filloi të “sillej në mënyrë të panatyrshme”.

“Ishte e qartë se ai kishte pësuar disa dëmtime”, tha Subhonkul Rakhimov.

Një zyrtar amerikan i tha CNN të enjten se të dhënat e hershme sugjerojnë se një sistem anti-ajror rus mund të ketë rrëzuar avionin. Reuters gjithashtu raportoi se avioni u rrëzua nga një sistem rus i mbrojtjes ajrore, duke cituar burime të shumta anonime në Azerbajxhan me njohuri për hetimin.

Ndërsa fluturimi J2-8243 po përpiqej të ulej në republikën jugore ruse, “dronët luftarakë ukrainas po kryenin sulme terroriste në infrastrukturën civile në qytetet Grozni dhe Vladikavkaz”, tha Dmitry Yadrov, kreu i Agjencisë Federale të Transportit Ajror të Rusisë.

Për shkak të kësaj, tha Yadrov, qiejt e zonës ishin të mbyllur, që do të thoshte se avionët në afërsi duhej të largoheshin menjëherë nga hapësira ajrore.

Piloti i avionit u përpoq të ulej në Grozny dy herë, tha Yadrov, por dështoi. Atij iu ofruan aeroporte të tjera për t’u ulur, vijoi zyrtari, por piloti “vendosi të vijonte drejt aeroportit në Aktau” përtej Detit Kaspik në Kazakistan. Ka pasur edhe mjegull të dendur në zonën e aeroportit të Groznit, tha ai.

Në një deklaratë të premten, ministri i Jashtëm i Ukrainës Andrii Sybiha tha se media ruse “ka gënjyer për shkakun e rrëzimit”, duke shtuar se Moska “e detyroi avionin e dëmtuar të kalonte detin, me shumë gjasa në një përpjekje për të fshehur provat e krimit të tyre.”