Vendosni fjalën kyçe....

Plan 5 vjeçar për luftën ndaj informalitetit, Tatimet: Goditje punës së zezë dhe pagave të nëndeklaruara


 

Luftë ndaj informalitetit. Ky do të jetë synimi kryesor i strategjisë së hartuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve 2024-2028, por edhe i strategjisë afatmesme të të ardhurave të miratuar tashmë edhe nga Këshilli i Ministrave.

Gjatë kësaj periudhe në qendër të kontrolleve do të jetë tregu i punës, që do të realizohet në 4 drejtime kryesore. Grupet e punës do të përqendrohen tek ulja e punës në të zezë, goditja e fenomenit të nëndeklarimit të pagave, reduktimi i mos deklarimit të saktë të kohës së punës si dhe i mos deklarimit të saktë të kategorisë dhe profesionit të punonjësit.

Në ‘lupën’ e kontrolleve do të jenë sektorët që kanë pagat më të ulta të deklaruara për punonjësit e tyre, si ndërtimi, turizmi, baret, restorantet e deri tek tregtia online.

Aksioni ndaj ‘punës në të zezë apo tregut gri’ ka nisur që këtë vit prej muajit tetor, ku vetëm nga thirrjet sensibilizuese të Administratës Tatimore rritën pagat e punonjësve 37 mijë biznese, ndërsa 7 mijë subjekte me risk për nëndeklarim, pasi nuk kanë reflektuar pas thirrjeve të tatimeve po përballen me kontrollin tatimor.

Vëmendje e shtuar do ti kushtohet edhe milionerëve, me synim që kjo kategori të mos i shmanget detyrimeve tatimore.

“Funksionaliteti i plotë i Drejtorisë së Kontrollit te Specializuar Hartimi i Programit të Përmbushjes dhe përdorimi i qasjes së integruar për realizimin e Strategjisë së Përmbushjes nga Individët me Pasuri të Lartë”, thuhet në strategjinë e tatimeve.

Tatimet thonë se ky dokument synon ndërtimin e një “Administrate të zgjuar dhe moderne, me integritet të padiskutueshëm, të besuar dhe të admiruar”, ku një analizë do të bëhet edhe mbi arsyet që shtyjnë bizneset drejt mos përmbushjes së detyrimeve tatimore.