Vendosni fjalën kyçe....

Prokuroria e Posaçme shtyn hetimet për Arben Ahmetaj deri në mars 2025


Prokuroria e Posaçme ka vendosur të shtyjë me tre muaj hetimet për ish-zëvendëskryeministrin Arben Ahmetaj, i cili ndodhet në arrati që prej korrikut 2023.

Organi i akuzës i ka komunikuar avokatit të tij se hetimet do të vazhdojnë deri në muajin mars të vitit 2025, afat i fundit për të kaluar dosjen në Gjykatën e Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (GJKKO), shkruan Shqiptarja.com.

Pas këtij afati, gjykata do të vendosë për kalimin ose jo të çështjes në gjykim.

Po ashtu, Prokuroria ka marrë të njëjtin vendim edhe për familjarët e Ahmetajt, përfshirë bashkëjetuesen dhe ish-bashkëshorten e tij. Ahmetaj akuzohet për tre vepra penale: “Pastrim parash”, “Fshehje të pasurisë” dhe “Korrupsion pasiv”.

Në korrik të vitit të kaluar, Prokuroria lëshoi një urdhër arresti për Arben Ahmetaj dhe shpalli atë në kërkim ndërkombëtar. Më vonë, në mars të vitit 2024, i janë komunikuar akuzat përmes avokatit të tij.