Vendosni fjalën kyçe....

Trafikonte emigrantë drejt Britanisë së Madhe, GJKKO lë në arrest shtëpie Arben Rushitin


Gjykata e Posaçme ka lehtësuar masën e sigurisë nga “arrest në burg” në “arrest në shtëpi, për trafikantin e emigrantëve, Arben Rushiti.

Rushiti, i cili trafikonte emigrantë drejt Anglisë dhe Irlandës, është liruar nga qelia për shkak te kalimit te kohëzgjatjes maksimale te afateve te masës se sigurimit.

Kujtojmë se gjatë muajit qershor të këtij viti, Policia arrestoi 26 persona, nga 31 që ishin nën hetim, në kuadër të një operacioni të urdhëruar nga SPAK, kundër një grupi kriminal, që përmes dokumenteve të falsifikuara, përfshi edhe vizat, siguronte kalimin e personave të ndryshëm drejt Britanisë së Madhe dhe Kanadasë.

Hetimet u zhvilluan në bashkëpunim me autoritetet ligjzbatuese spanjolle dhe ato të Kosovës, ndërsa nën hetim ishin 31 persona, si organizatorë apo pjesëtarë të grupit kriminal.

Gjatë këtij operacioni, janë sekuestruar sendet që kanë shërbyer për kryerjen e veprës penale apo sende që përbëjnë produkt të veprës penale, shumat e parave 25 mijë euro, 20 mijë paund, sende me vlerë, një ambient i përshtatur për falsifikim të dokumentave, kompjutera e printera që shërbenin për shitje dhe transferta monedha virtuale – BITCOIN, sasi lëndësh narkotike e dokumenta të tjera me rëndësi për hetimin.