Me shumë bujë, Ukrainës iu dha leja për të gjuajtur raketa perëndimore me rreze të gjatë veprimi ndaj objektivave ushtarake ruse më shumë se një muaj më parë. Por pasi fillimisht hodhi një mori syresh, Ukraina tashmë e ka ngadalësuar përdorimin.
Kievit po i mbarojnë raketat. Gjithashtu mund të mbarojë koha: Presidenti i zgjedhur Donald J. Trump ka thënë publikisht se lejimi i raketave me rreze të gjatë veprimi të prodhuar nga SHBA-ja për të goditur brenda Rusisë ishte një gabim i madh.
Deri tani, raketat kanë qenë efektive në mënyra të kufizuara, por ato nuk kanë ndryshuar trajektoren e luftës, thanë zyrtarë të lartë të NATO-s.
Lufta gjithashtu nuk është përshkallëzuar. Edhe pse Rusia lëshoi një raketë të re të fuqishme balistike hipersonike me rreze të mesme veprimi në një objekt armësh të Ukrainës pas dy breshërive të para të raketave perëndimore me rreze të gjatë veprimi, që atëherë ajo u është përgjigjur atyre me përzierjen e saj të zakonshme të dronëve, raketave dhe kërcënimeve.
Dy zyrtarë amerikanë thanë se besonin se Rusia po përpiqej të shmangte përshkallëzimin e operacioneve ushtarake në Ukrainë, veçanërisht me zgjedhjen e Trump, një skeptik prej kohësh i luftës dhe duke pasur parasysh sukseset e fundit të Rusisë në fushën e betejës. Ata folën në kushte anonimiteti për shkak të ndjeshmërisë politike.
Admirali Rob Bauer, oficeri më i lartë ushtarak i NATO-s, tha kohët e fundit se sulmet nga ATACMS, kishin “goditur seriozisht një numër” fabrikash armësh dhe depo municionesh në Rusi. Ai tha se kjo e kishte detyruar Rusinë të zhvendoste shumë objekte logjistike më larg nga fronti.
“Atyre nuk u pëlqen që ATACMS të futet në vendin e tyre, përmes ajrit. Nuk e pëlqejnë, sepse ato janë efektive,” tha Admirali Bauer në një intervistë në fillim të dhjetorit.
“Kjo kufizon aftësinë e tyre për të luftuar në mënyrë efektive në front, dhe kjo është ajo që pritet,” shtoi ai.
Në një farë mënyre, ajo që ka ndodhur me ATACMS është historia e asaj që ka ndodhur me armët e tjera perëndimore në luftë. Ukraina bëri presion për muaj dhe madje vite për të marrë armë perëndimore: raketahedhës HIMARS, tanke Abrams dhe avionë luftarakë F-16.
Por në kohën kur Perëndimi i dha qasje në këto armë, Ukraina kishte humbur më shumë terren. Dhe asnjë armë nuk ka mundur ta ndryshojë rrjedhën e luftës. Zyrtarët perëndimorë thonë gjithashtu se Ukraina është mbështetur shumë në ndihmën e Perëndimit dhe nuk ka bërë mjaftueshëm për të forcuar përpjekjet e saj të luftës, veçanërisht në mobilizimin e mjaftueshëm të trupave.
Shtetet e Bashkuara i kishin rezistuar prej kohësh furnizimit të Ukrainës me ATACMS me rreze të gjatë, me një rreze prej 190 miljesh, nga frika se përdorimi i tyre thellë brenda Rusisë së armatosur me armë bërthamore do përshkallëzonte luftën.
Në pranverë, Presidenti Biden u dorëzua. Administrata i dërgoi Ukrainës deri në 500 raketa nga rezervat e Pentagonit, thanë zyrtarët amerikanë. Ndërsa Ukraina nuk mund t’i përdorte ato në Rusi, ata i gjuajtën në objektiva në territoret lindore të Ukrainës të kontrolluara nga Rusia dhe në Krime, të konfiskuara nga Rusia në vitin 2014 – duke synuar bazat e komandës dhe kontrollit, zonat e ruajtjes së armëve dhe disa bunkerë të tjerë.
Zyrtarët e SHBA dhe NATO-s thanë se ato sulme kishin qenë efektive, por gjithashtu thanë se ata mendonin se Ukraina mund të kishte qenë më e matur në numrin e raketave të përdorura dhe më selektive me shënjestrimin.
Zyrtarët amerikanë thanë se Biden e kishte justifikuar dhënien e lejes më 17 nëntor për të përdorur raketat në Rusi, sepse Moska solli ushtarët e Koresë së Veriut në luftë.
Zyrtarët amerikanë thanë se armët fillimisht do përdoreshin kryesisht kundër trupave ruse dhe koreano-veriore në rajonin Kursk të Rusisë perëndimore, ku Ukraina po përpiqej të mbante territorin pas një ofensive të papritur ukrainase në gusht.
Në atë pikë, Ukrainës i kishin mbetur vetëm “dhjetëra raketa” – ndoshta rreth 50, thanë dy zyrtarët amerikanë. Nuk kishte gjasa të merrte më shumë, thanë ata. Furnizimet e kufizuara amerikane tashmë ishin caktuar për t’u vendosur në Lindjen e Mesme dhe Azi. Zyrtarët në Britani, të cilat lejuan Ukrainën të përdorte raketat e saj me rreze të gjatë Storm Shadow brenda Rusisë pas vendimit të Biden, gjithashtu thanë së fundmi se nuk kishte shumë më tepër për të ofruar.
Nuk ka gjasa që Trump të ndërhyjë për të mbushur boshllëkun. Kohët e fundit ai i tha revistës Time se nuk pajtohej “ashpër” me përdorimin nga Ukraina të ATACMS në territorin rus dhe e quajti vendimin e Biden për t’i ofruar ato “të çmendur”. Të nesërmen, Kremlini tha se pozicioni i Trump “përputhej plotësisht” me Moskën.
Që kur Shtetet e Bashkuara dhe Britania dhanë lejen, Ukraina ka nisur të paktën një duzinë sulmesh raketash, duke përdorur të paktën 31 ATACMS dhe 14 Shadow Storm, sipas Ministrisë së Mbrojtjes Ruse dhe blogerëve ushtarakë rusë. Ushtria ukrainase nuk komenton përdorimin e raketave, por as Shtetet e Bashkuara dhe as Ukraina nuk i kanë kundërshtuar këto raporte.
Sulmi më i dëmshëm duket se ka qenë nga Storm Shadow i qëlluar më 20 nëntor në një bunker komandues rus pranë Maryino, Kursk, thanë zyrtarët dhe analistët.
Më 21 nëntor, Rusia lëshoi raketën e re balistike hipersonike, Oreshnik, në një strukturë ushtarake në qytetin ukrainas Dnipro. Ky u pa si një paralajmërim se rusët mund të godasin çdo pjesë të Evropës me raketën e re, një mesazh për Evropën dhe Amerikën për pasojat e mundshme.
Gjashtë ditë më vonë, gjenerali rus, i cili ishte arkitekti i pushtimit në Ukrainë, thirri këshilltarin më të lartë ushtarak të Biden për të diskutuar shqetësimet rreth përshkallëzimit, duke këmbëngulur se testi i raketave të tij ishte planifikuar prej kohësh.
Pas asaj thirrjeje të 27 nëntorit, Ukraina nuk pushoi së gjuajturi ATACMS ose Storm Shadows për dy javë. Rusia gjithashtu nisi disa sulme me raketa ose me dron në Ukrainë, megjithëse presidenti rus, Putin, kërcënoi se do e lëshonte një raketë Oreshnik në qendër të Kievit nëse Ukraina nuk ndalonte së përdoruri ATACMS në Rusi.
Pavarësisht kërcënimeve të tij publike, Putin po përpiqet të reagojë me kujdes ndaj operacioneve të Ukrainës, thanë zyrtarët amerikanë. Ata besojnë se Moska me shumë gjasa nuk do t’i përgjigjet sulmeve të ATACMS në një mënyrë që mund të rrezikojë ta tërheqë Uashingtonin më thellë në luftë ose ta vendosë administratën e re në një pozitë të vështirë.
Moska mund të shtojë operacionet kibernetike ose sabotuese në Evropë, por nuk ka gjasa të synojë drejtpërdrejt interesat e SHBA-së, thanë zyrtarët.
Disa analistë thanë se Ukraina kishte ngadalësuar përdorimin e saj të raketave, sepse fillimisht kishte shënjestruar objektet ruse që kishte dashur prej kohësh t’i godiste. Tani, me pak raketa të mbetura, Ukraina po bëhet më e kujdesshme.
Më 11 dhjetor, Ministria e Mbrojtjes e Rusisë tha se Ukraina kishte sulmuar një aeroport ushtarak në qytetin jugor rus të Taganrog, një port detar në Detin Azov, me gjashtë ATACMS dhe ajo premtoi hakmarrje kundër Ukrainës.
Më pas Shtetet e Bashkuara lëshuan një paralajmërim të rrallë: se Rusia mund të përgatitet të gjuajë një Оreshnik. Në vend të kësaj, Rusia u hakmor me një sulm ajror në shkallë të gjerë, duke gjuajtur 93 raketa dhe pothuajse 200 dronë në sektorin energjetik të Ukrainës.
Më 18 dhjetor, Ukraina gjuajti gjashtë nga raketat dhe katër “Storm Shadows” në një nga objektet më të mëdha të industrisë kimike të vendit në rajonin e Rostovit të Rusisë, sipas Ministrisë ruse të Mbrojtjes.
Dy ditë më vonë, Rusia lëshoi një breshëri raketash në Kiev; Zyrtarët rusë pretenduan se ata ishin në hakmarrje për sulmet me raketa perëndimore.
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e New York Times