Vendosni fjalën kyçe....

Banka turke Ziraat, drejt hyrjes në tregun shqiptar


Banka më e madhe në Turqi ka paraqitur zyrtarisht interes për të hapur degë edhe në Shqipëri. Nëse finalizohet, licencimi i Ziraat pritet të jetë i pari licencim i një banke të re tregtare në Shqipëri që prej vitit 2006.

Pas një cikli disavjeçar konsolidimi dhe ulje të numrit të bankave aktive nga 16 në 11, në mënyrë të papritur numri i bankave mund të rritet përsëri.

Pas një procesi konsolidimi që nisi afërsisht një dekadë më parë, numri i bankave tregtare në Shqipëri mund të rritet përsëri. Sipas burimeve nga tregu, banka turke Ziraat Bank (Banka Bujqësore) ka shprehur zyrtarisht pranë Bankës së Shqipërisë interesin për të hyrë në tregun shqiptar, duke hapur fillimisht një degë të saj në vendin tonë.

Hyrja në treg e bankës turke do të ishte e para në gati 20 vjet, nëse përjashtojmë shitblerjet e bankave ekzistuese.

Licenca e fundit e dhënë nga Banka e Shqipërisë për hapjen e një banke të re tregtare në vend është dhënë në janar 2006, kur licencoi bankën me kapital vendas, Union Bank.

Bankat e huaja, që kanë hyrë në tregun shqiptar në 25 vitet e fundit, kanë preferuar ta bëjnë këtë duke blerë banka ekzistuese në treg.

Ziraat Bank kryeson tregun bankar turk

Ziraat Bank e ka origjinën që në shekullin e 19-të, në epokën e Perandorisë Osmane. Ajo u themelua në vitin 1863, fillimisht si një fond kooperativë për financimin e bujqësisë, ndërsa në vitin 1888 u shndërrua zyrtarisht në bankë, me emrin që mban edhe sot, Ziraat.

Ziraat është bankë me kapital shtetëror turk. 100% e aksioneve zotërohen nga Fondi Turk i Pasurisë, fond publik në pronësi të shtetit të Turqisë.

Ziraat Bank është banka më e madhe në Turqi, ku mban afërsisht 16% të tregut, me asete totale për një vlerë prej më shumë se 141 miliardë USD. Në nivel grupi, duke përfshirë edhe bankat dhe shoqëritë e tjera të zotëruara prej saj, Ziraat raporton asete totale për më shumë se 155 miliardë USD.

Mbështetur në raportimin më të fundit, më 30 shtator 2024, përveç bankave dhe kompanive financiare në Turqi, Ziraat zotëron banka të kontrolluara prej saj në Gjermani, Rusi, Kazakistan, Uzbekistan, Gjeorgji, Azerbajxhan, Bosnjë-Hercegovinë dhe Mal të Zi.

Banka turke është e pranishme me degët e saj (që nuk veprojnë si banka të ndara) edhe në Angli, Irak, Greqi, Bullgari, Kosovë, Arabinë Saudite, Qipron Turke, Bahrejn, ndërsa ka zyra përfaqësie edhe në Emiratet e Bashkuara Arabe dhe në Egjipt.

Hyrja në Shqipëri zgjeron praninë rajonale

Të dhënat e mësipërme tregojnë se Ziraat është e pranishme edhe në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Pas Bosnjë-Hercegovinës, Malit të Zi dhe Kosovës, zgjerimi në Shqipëri duket si një hap i mëtejshëm në strategjinë e pranisë rajonale.

Ziraat Bank është e pranishme prej vitit 2015 edhe në tregun bankar të Kosovës, me pesë degë gjithsej. Sipas të dhënave më të fundit të publikuara nga Shoqata e Bankave të Kosovës, në fund të 9-mujorit 2024, Ziraat Bank zotëronte 1.8% të tregut të Kosovës, për një total aktivesh prej afërsisht 141 milionë eurosh.

Pjesa e Ziraat ishte pak më e lartë në tregun e kredisë, me 2% të portofolit total të sektorit bankar në Kosovë në fund të shtatorit 2024.

Nëse qëllimi për të hyrë në Shqipëri do të finalizohet, Ziraat do të bëhej banka e dytë me kapital turk në Shqipëri, pas bankës më të madhe në vend, Banka Kombëtare Tregtare (BKT), zotëruar nga grupi turk i biznesit, Çalik. Megjithatë, ndryshe nga Çalik, Ziraat është një investitor institucional i specializuar në sektorin bankar.

Vendimi i Ziraat për të hyrë në Shqipëri, ndoshta jo rastësisht vjen në kulmin e një cikli të ri rritjeje të sektorit bankar në vend. Pas krizës së vitit 2009, që i shtriu efektet e veta për afërsisht një dekadë, sektori bankar shqiptar i është kthyer zgjerimit, i mbështetur nga rimëkëmbja ekonomike pas pandemisë dhe nga përmirësimi i ndjeshëm i performancës financiare.

Duke qenë një bankë me kapital shtetëror, hyrja e Ziraat në Shqipëri mund të lexohet edhe në këndvështrimin e interesit gjeopolitik të Turqisë për të rikthyer influencën e saj në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Sektori bankar në cikël pozitiv

Sektori bankar në Shqipëri po kalon një cikël pozitiv, i karakterizuar nga zgjerimi i aktiveve, rritja dyshifrore e kreditimit dhe përfitueshmëri pranë niveleve më të larta historike.

Sipas statistikave nga Shoqata Shqiptare e Bankave, në fund të shtatorit 2024, totali i aktiveve të sektorit arriti në 2.06 trilionë lekë. Vlera e aktiveve është rritur me 38% krahasuar me fundin e vitit 2019, përpara pandemisë.

Megjithatë, rritja është gërryer ndjeshëm nga efekti negativ i forcimit të Lekut në kursin e këmbimit. E zhveshur nga efekti i kursit të këmbimit, rritja e sektorit gjatë pesë viteve do të kishte qenë më shumë se 50%.

Portofoli i kredisë ka arritur vlerën e 788 miliardë lekëve, 43% më shumë krahasuar me fundin e vitit 2019. Me bazë vjetore, rritja e kredisë në fund të 9-mujorit 2024 arriti në 12.4%, niveli më i lartë në më shumë se 15 vjet./Monitor