Zv/presidentja e Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho, ka akuzuar qeverinë për shkurtimin e fondeve për tre sektorët më të rëndësishëm të vendit: bujqësinë, arsimin dhe shëndetësinë.
Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Xhixho thekson se buxheti i vitit të ardhshëm parashikon heqjen e 700 milionë lekëve nga arsimi, 2.5 miliardë lekë nga shëndetësia dhe 800 milionë lekë nga bujqësia.
Deputetja e PL thekson se ky vendim është një dëshmi tjetër se arsimi nuk është prioritet për qeverinë, ndërsa shëndetësia falas mbetet një premtim i pamundur për t’u realizuar.
Sipas saj, ky është një tjetër shembull i mashtrimit për shëndetësinë, duke theksuar se shkurtimet do të çojnë në mungesë ilaçesh dhe shërbime të dobëta spitalore.
Sipas programit të Partisë së Lirisë, shpresat për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik dhe social janë të lidhura me krijimin e mundësive për të gjithë qytetarët, duke ndaluar shpopullimin dhe duke shndërruar Shqipërinë në një fuqi eksportuese.
Reagimi
Qeveria e inceneratorëve ka vendosur të shkurtojë fondet buxhetore për tre sektorët më të rëndësishëm. Me vendimin e fundit, qeveria i heq:
700 milionë lekë arsimit
2.5 miliardë lekë shëndetësisë
800 milionë lekë bujqësisë
Shkurtimi i fondeve të arsimit, në një kohë kur shkollat dhe degët universitare po mbyllen me një ritëm dramatik, analfabetizmi funksional rritet nga dita në ditë dhe rezultatet në testet PISA vijnë vetëm duke u përkeqësuar, është prova më e qartë se për këtë qeveri, arsimi nuk ka qenë e nuk do të jetë prioritet ndonjëherë.
Premtimi për shëndetësinë falas ka qenë mashtrim i kësaj qeverie që në krye të herës. Me shkurtimin e fondeve, ky mashtrim thellohet. Kjo është garanci se pacientëve do t’u mungojnë ilaçet, shërbimi në spitale do të vijojë të jetë jocilësor dhe skandalet si ai i Onkologjikut do të cënojnë jetën e qytetarëve.
Pasi i privoi fermerët nga fondet IPARD për shkak të korrupsionit, qeveria i shkurton fondet edhe bujqësisë, sektori që kontribuon me rreth 20% në GDP-në e vendit. Buxheti i gjymtuar i vitit të ardhshmë nuk jep shpresë për mijëra fermerë që falimentojnë çdo vit dhe detyrohen të lënë Shqipërinë.
Është e qartë se ku shkojnë paratë që u hiqen tre sektorëve më jetikë: në gropat thithëse të korrupsionit të kësaj qeverie. Rriten fondet për tendera e koncesione, sepse përmes tyre vidhen më lehtë paratë e taksapaguesve shqiptarë.
Partia e Lirisë në programin e saj “5 prioritete për 4 milionë shqiptarë” ka në fokus ndaljen e shpopullimit dhe shndërrimin e Shqipërisë në fuqi eksportuese, sepse beson se vetëm duke i krijuar Shqipërisë mundësitë për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik dhe social, do ta bëjë atë vendin e mundësive për të gjithë dhe jo vetëm për disa.