Nga selia blu,kryetari i PD, Sali Berisha, ka akuzuar kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj, për largim nga Shqipëria drejt një destinacioni të panjohur, duke e cilësuar këtë si një akt të rëndë të orkestruar nga Kryeministri Edi Rama. Sipas Berishës, Veliaj ka ikur pas akuzave të rënda që e lidhin me vjedhjen e miliona eurove, duke përfshirë aferën e djegësit të Tiranës dhe projektin 5D.
Berisha theksoi se Veliaj ishte thirrur më parë për t’u përballur me prova që e inkriminojnë, duke përmendur dokumente dhe llogari bankare që përfshijnë depozita të mëdha në Dubai. Ai akuzoi Ramën për bllokimin e hetimeve ndaj Veliajt dhe për facilitimin e largimit të tij nga Shqipëria për të fshehur pasuritë dhe krimet e tij. Kryedemokrati kërkoi rikthimin urgjent të Veliajt në Shqipëri dhe dënoi këtë veprim si një akt skandaloz.
“Lajme të shumta bëjnë të ditur se Erion Veliaj, bashkëpronari i vërtetë i djegësit të Tiranës, që mungon, i pyllit 1 milion pemë që nuk ekziston, i modelit të vjedhjes 100 përqind me 5D, pasi mori zyrtarisht një seri akuzash, të cilat shkonin për përmasat e krimit nga 20 në 35 vite burg, sot në ora 5:15 të mëngjesit është nisur jashtë vendit, sipas thashethemit për në SHBA, por në të vërtetë drejtimi është i panjohur.
Zonja dhe zotërinj, ky është një akt nga më të rëndët në historinë e një shteti, i organizuar, i orkestruar direkt nga Edi Rama.
Edi Rama bllokoi lëshimin e urdhër-arrestit ndaj Erion Veliajt, bllokoi lëshimin e sekuestrimit të pasaportës dhe ndalimit për të dalë jashtë shteti dhe de facto ai e përcolli atë në drejtim të paditur në mënyrë që shqiptarët të mos mësojnë fatin e qindra e qindra milionë euro të vjedhura nga Edi Rama dhe Erion Veliaj në djegësin e Tiranës, në aferën 5D, por dhe në të gjitha lejet e ndërtimit në territorin e Tiranës, kullat gjigante në të cilat flitet rëndom se Edi Rama ka 30 përqind të pronësisë.
Me këtë rast, unë kërkoj në mënyrën më urgjente rikthimin e Erion Veliajt në Tiranë. Dënoj në mënyrën më të ashpër këtë akt superskandaloz.
Rikujtoj qytetarët shqiptarë se Erion Veliaj ishte thirrur të paktën 3 herë për orë të tëra në Skapin e partisë dhe herën e fundit, ai u njoh me dokumente të cilat besonte se nuk ia dinte kush mbi tokë.
Herën e fundit, ai u gjet para pohimeve të bashkëshortes dhe vëllait të tij, të cilat e inkriminonin atë në mënyrë fatale.
Herën e fundit, Erion Veliaj u vendos para dokumentave, llogarive bankare, të cilat janë vetëm maja e ajsbergut e parave të vjedhura prej tij. Të gjithë të dhënat flasin se ai depozitat më të mëdha i ka në Dubai”, tha Berisha.