Vendosni fjalën kyçe....

Kim Jong Un zotohet të zbatojë politikë më të ashpër antiamerikane


Udhëheqësi i Koresë së Veriut, Kim Jong Un, është zotuar se do të zbatojë politikën “më të ashpër” kundër Shteteve të Bashkuara. Këto deklarata vijnë më pak se një muaj para se Donald Trump të marrë postin e presidentit të SHBA-së.

Rikthimi i Trumpit në Shtëpinë e Bardhë rrit mundësitë për diplomaci të profilit të lartë me Korenë e Veriut. Gjatë mandatit të tij të parë presidencial, Trump ishte takuar tri herë me Kimin për bisedime mbi programin bërthamor të Veriut.

Shumë ekspertë, megjithatë, kanë thënë se një rinisje e shpejt e takimeve mes Trumpit dhe Kimit ka pak gjasa të ndodhë, pasi Trumpi fillimisht do të fokusohet në konfliktet në Ukrainë dhe Lindje të Mesme. Mbështetja e Koresë së Veriut për luftën e Rusisë kundër Ukrainës po ashtu përbën një sfidë në përpjekjet për të ringjallur diplomacinë, thanë ekspertët.

Gjatë një takimi pesëditor të partisë në pushtet, Partia e Punëtorëve, Kim e quajti SHBA-në “shtetin më reaksionar që e konsideron antikomunizmin si politikën të tij të pandryshueshme shtetërore”. Kim tha se partneriteti i sigurisë mes SHBA-së, Koresë së Jugut dhe Japonisë po zgjerohet në një “bllok ushtarak bërthamor për agresion”.

“Ky realitet tregon qartazi se në cilin drejtim duhet të shkojmë, çfarë duhet të bëjmë dhe si duhet të veprojmë”, tha Kim, sipas agjencisë shtetërore të lajmeve në Korenë e Veriut, KCNA.

Kjo media tha se Kimi gjatë fjalimit “qartësoi strategjinë më të ashpër antiamerikane. Kundërveprimi do të nisë në mënyrë agresive” nga Koreja e Veriut për interesat dhe sigurinë e saj afatgjatë kombëtare.

Raportimi nuk dha detaje mbi këtë strategji kundër SHBA-së. Por, u tha se Kim ka vendosur që të forcohen aftësitë ushtarake të shtetit përmes përparimeve në teknologjinë e mbrojtjes dhe ka kërkuar që të përmirësohet qëndrueshmëria mendore e ushtarëve verikoreanë.

Takimet e mëhershme mes Trumpit dhe Kimit jo vetëm që u dhanë fund retorikës së ashpër dhe kërcënimeve për shkatërrim, por dy udhëheqësit krijuan edhe lidhje personale. Megjithatë, bisedimet kolapsuan më 2019 dhe SHBA-ja vendosi sanksione ndaj Veriut.

Që atëherë, Koreja e Veriut ka përshpejtuar ritmin e testimit të armëve dhe ka intensifikuar prodhimin e raketave bërthamore për të shënjestruar SHBA-në dhe aleatët e saj. SHBA-ja dhe Koreja e Jugut janë përgjigjur duke zgjeruar stërvitjet e tyre të përbashkëta ushtarake dhe në to është përfshirë edhe Japonia. Veriu i ka parë këto stërvitje si përgatitje për pushtim./REL