Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se për të dytin vit radhazi Aeroporti i Rinasit ka arritur të bëhet aeroporti më i madh në rajon, duke tejkaluar edhe Beogradin, që ka qenë një nga qendrat më të rëndësishme të transportit ajror. Gjatë konferencës së tij të fundvitit, Rama theksoi se kjo arritje është rezultat i një pune të palodhur dhe përkushtimi të madh.
Rama kujtoi se në të kaluarën, Aeroporti i Rinasit ishte shumë më i vogël dhe ndodhej në kushte shumë më të vështira.Ai bëri të ditur se nëntori i këtij viti mbyllet me 10 milionë pasagjerë në Aeroportin e Rinasit.
“Në aeroportin e Rinasit në nëntor mbyllet bilanci me 10 mln pasagjerë. Për këdo që i vjen inat pse Shqipëria ecën kështu si po ecën për shkak se ka problem mënyrën si qeveris unë dhe si qeverisim ne, më vjen shumë keq, por sot për të dytin vit kemi aeroportin më të madh të rajonit dhe jemi mbi Beogradin që ka qenë kryeqendra e këtij rajoni dhe që e ka patur aeroportin kryesor në këtë rajon kur ne kishim një kotec pulash fluturuese në Rinas, kur pulat numëroheshin në mëngjes kur dilnin nga koteci dhe numëroheshin në darkë kur vinin në kotec.
Ju nuk e keni parë Rinasin në atë kohë, por unë e kam parë se më është dashur të fluturoj, kam qenë një nga pulat, kemi qenë në aktivitetet ndërkombëtare të basketbollit…
Ishte bosh, një kamarier, një banakier. Por sot, nuk e solli koha, por e solli gjithë kjo punë kolosale që është bërë me vite.”