Kryetari i grupimit Demokratët Euroatlantikë, Lulzim Basha, ka deklaruar se lidhja e pushtetit të kryeministrit Edi Rama me krimin e organizuar është një fakt i pamohueshëm.
Në një postim të tij në Facebook, Basha theksoi se mandati i Ramës është rezultat i mbështetjes nga bandat e Durrësit dhe kriminelët e Elbasanit, të cilët, sipas tij, kanë manipuluar zgjedhjet e vitit 2021 për të siguruar një pushtet të korruptuar dhe të dëmshëm për qytetarët.
Basha kritikon ashpër “larjen e duarve” të Ramës për detyrën e tij si kryeministër, duke mos parandaluar infiltrimin e krimit të organizuar në Parlament.
Ai e cilëson këtë lidhje si një kërcënim për proceset demokratike në vend dhe kërkon ndarjen e politikës nga krimi si një “emergjencë kombëtare”.
Ai bëri thirrje për mbështetje të nismës së vetting-ut, që, sipas tij, do të sjellë një Shqipëri me një të ardhme më të mirë, ku shteti i së drejtës do të triumfojë dhe politika do t’i shërbejë qytetarëve.
Postimi i plotë i Bashës:
“Një pushtet i papërgjegjshëm dhe i pamerituar prodhon marrëzira të tilla, si kjo “larje duarsh” ndaj detyrës ekskluzive që ka kryeministri dhe kryetari i partisë qeverisëse, për të mos lejuar që krimi i organizuar të fusë ushtarët e tij në Parlament me firmën e Edi Ramës.
Tashmë është fakt se vetë mandati i Edi Ramës është produkt i bandave të Durrësit, po ashtu është fakt se, falë kriminelëve të Elbasanit në shërbim të kryeministrit, u tjetërsua rezultati i zgjedhjeve të 2021-shit, për të mbrojtur një pushtet të korruptuar, që nuk i shërben qytetarëve, por krimit.
Shqipëria nuk e meriton këtë papërgjegjshmëri, e aq më pak lidhjen simbiotike mes këtij pushteti dhe krimit, që ka shkatërruar proceset demokratike. Ndarja e politikës nga krimi është emergjencë kombëtare, prandaj kam dorëzuar në Kuvendin e Shqipërisë ligjin për vetting-un, si një mekanizëm të domosdoshëm për të pastruar politikën dhe për t’i hequr çdo alibi atij që bën sikur nuk di se cilat janë detyrat e tij.
Pastrimi i politikës nga lidhjet e errëta me krimin është hapi i parë për të krijuar një demokraci të vërtetë, ku vota respektohet dhe individi ka zë në vendimmarrje.
Më 11 Maj, ju ftoj të mbështesni me votë nismën e vetting-ut, të penguar nga Edi Rama, për t’i dhënë Shqipërisë mundësinë e një të ardhmeje më të mirë, ku triumfon shteti i së drejtës, ku rritet ekonomia dhe ku politika i shërben vetëm qytetarëve dhe mirëqenies së tyre. Shqipëria meriton shumë”.