Shtetet e Bashkuara njoftuan të hënën gati 6 miliardë dollarë ndihmë shtesë ushtarake dhe buxhetore për Ukrainën, ndërsa presidenti Joe Biden përdor javët e tij të fundit në detyrë për të rritur ndihmën për Kievin përpara se presidenti i zgjedhur Donald Trump të marrë pushtetin.
Biden njoftoi 2.5 miliardë dollarë ndihmë shtesë për sigurinë e Ukrainës. Sekretarja e Thesarit Janet Yellen tha se Shtetet e Bashkuara kanë vënë në dispozicion 3.4 miliardë dollarë ndihmë buxhetore shtesë për Ukrainën, duke i dhënë vendit të shkatërruar nga lufta burime kritike mes shtimit të sulmeve ruse ndaj civilëve dhe infrastrukturës ukrainase.
“Nën drejtimin tim, Shtetet e Bashkuara do vijojnë të punojnë pa pushim për të forcuar pozicionin e Ukrainës në këtë luftë gjatë pjesës së mbetur të kohës sime në detyrë”, tha Biden në një deklaratë.
Njoftimi i Biden përfshin 1.25 miliardë dollarë ndihmë ushtarake të tërhequr nga stoqet e SHBA-së dhe një paketë prej 1.22 miliardë dollarësh të Nismës së Ndihmës për Sigurinë e Ukrainës (USAI), paketa përfundimtare e USAI-t gjatë kohës së Bidenit në detyrë.
Sipas USAI, pajisjet ushtarake blihen nga industria e mbrojtjes ose partnerët, në vend që të merren nga stoqet amerikane, që do të thotë se mund të duhen muaj ose vite për të mbërritur në fushën e betejës.
Pushtimi rus i Ukrainës po i afrohet kufirit trevjeçar dhe së fundmi rusët kanë përdorur trupat e Koresë së Veriut për të forcuar pozicionin e tyre luftarak.
Gati tre vjet në luftë, Uashingtoni ka dhënë miliarda ndihmë për Ukrainën, por është e pasigurt nëse ndihma do vijojë me atë ritëm nën Trump, i cili zëvendëson Biden më 20 janar. Trump ka thënë se dëshiron ta përfundojë shpejt luftën.