Kryeminsitri Rama njoftoi se do arrihet binjakëzimi mes spitalit Onkologjik dhe atij Sheba në Izrael, bashëpunim që më pas pritet të shtrihet në gjithë QSUT-në, për ta kthyer këtë të fundit në qendër ekselence në rajon.
Në konferencën e fundvitit me gazetarët, kreu i qeverisë theksoi se spitali Shiba renditet i nënti në botë për sa i përket cilësisë dhe shërbimeve që ofron.
“Kemi nisur një proces bashkëpunimi për të arritur një marrëveshje binjakëzimi, jo simbolik por të plotë me spitalin SHEBA të Izraelit, i rankuar i 9 në botë sa i përket cilësisë dhe shërbimeve dhe në fillim të 2025 onkologjiku do të jetë pika e parë e bashkëpunimit. Programi i punës së Onkologjikut, do të jetë program që jo vetëm po ndërtohet aktualisht në bashkëpunim me ekspertët e onkologjikut të këtij spitali por do të ndiqet e menaxhohet e njëkohësisht zbatohet në jetën e përditshme të spitalit bashkarisht duke shfrytëzuar kapacitetet e mjekëve izraelitë dhe mundësitë që ofron teknologjia. Ndryshimi do të jetë i jashtëzakonshëm, në transformimin e shërbimit. Ky bashkëpunim do të shtrihet më tej në të gjithë QSUT që duam të kthejmë në qendër ekselence në rajon”, tha ai.