Qeveria gjermane akuzoi të hënën miliarderin amerikan Elon Musk se po përpiqet të ndikojë në zgjedhjet e përgjithshme të shkurtit me shkrime që mbështesin partinë e ekstremit të djathtë Alternativa për Gjermaninë (AfD).
Musk, i cili do shërbejë në administratën e re të Donald Trump si këshilltar i jashtëm, mbështeti AfD-në si shpresën e fundit të Gjermanisë në një shkrim për gazetën Welt am Sonntag, duke bërë që redaktori i komenteve të jepte dorëheqjen në shenjë proteste.
“Ky është rasti ku Elon Musk po përpiqet të ndikojë në zgjedhjet federale me pastime nëë X dhe shkrimet e tij”, tha një zëdhënës i qeverisë gjermane.
Musk është i lirë të shprehë mendimin e tij, tha zëdhënësi, duke shtuar: “Në fund të fundit, liria e mendimit mbulon edhe marrëzitë më të mëdha”.
Musk, personi më i pasur në botë, ka mbrojtur të drejtën e tij për të ndikuar në politikën gjermane për shkak të “investimit të tij të rëndësishëm” dhe ka vlerësuar qasjen e AfD-së ndaj rregullimit të emigracionit e taksave.
Ndërhyrja e tij ka ardhur ndërsa gjermanët përgatiten të votojnë në zgjedhjet parlamentare më 23 shkurt, pas rënies së qeverisë së koalicionit të udhëhequr nga kancelari Olaf Scholz. AfD-ja është aktualisht në vendin e dytë në sondazhet e opinionit pas konservatorëve kryesorë të opozitës dhe mund të jetë në gjendje të pengojë një shumicë të qendrës së djathtë ose të qendrës së majtë në zgjedhje. Partitë kryesore të Gjermanisë janë zotuar të mos bashkëpunojnë me AfD-në në nivel kombëtar.
Politikanët gjermanë e kanë kritikuar Musk-una për mbështetjen e AfD-së, me bashkëudhëheqësin e Social Demokratëve (SPD) të Scholz-it që e krahason atë me presidentin rus Putin.
“Të dy duan të ndikojnë në zgjedhjet tona dhe të mbështesin veçanërisht armiqtë e demokracisë, sic është AfD-ja. Ata duan që Gjermania të dobësohet dhe të zhytet në kaos,” tha Lars Klingbeil.
Friedrich Merz, kreu i Kristian Demokratëve të opozitës dhe i parapëlqyeri për të pasuar Scholz-in si kancelar, i tha medias gjermane se komentet e Musk ishin “ndërhyrëse dhe pretencioze”.