Vendosni fjalën kyçe....

“Gjetëm një vend të zhytur në borxhe e pluhur”- Rama: Na vonuan rrugët e lëna rrugëve


Gjatë konferencës së fundvitit me gazetarët, Kryeministri Edi Rama shpalli një arritje të rëndësishme në fushën e ekonomisë, duke njoftuar se objekti i vendosur nga Qeveria për rritjen e pagës mesatare, prej 900 euro, është tejkaluar.

Sipas tij, paga mesatare aktuale ka arritur në 968 euro, dhe shtoi se tavani i 1 mijë eurove është shumë afër realizimit.

Rama theksoi se ky rezultat është arritur falë rritjes së ekonomisë dhe mundësive të përmirësuara për qytetarët, duke përmendur se rritja e pagave do të vijojë, por do të bëhet duke ruajtur balancat makroekonomike.

Ai theksoi se ecuria e pagave ka qenë një sfidë e madhe, për shkak të borxheve dhe kontratave të paplotësuara nga qeveria e kaluar, të cilat kërkuan kohë dhe mund për t’u zgjidhur.

“Kemi shkuar përtej objektivit, që pagat të arrinin në 900 euro. Jemi në 968 euro, tavani i 1 mijë eurove është një shtrirje krahu larg. Kjo ka ardhur si rezultat i rritjes domethënëse të ekonomisë dhe mundësive. Një gjë është të duash të rritësh pagat e pensionet e një gjë është t’i rrisësh. Aq më tepër të rriten duke mos vënë në rrezik balancat makroekonikë.

Gjetëm një vend të zhytur në borxhe e pluhur, ku vetëm larja e borxheve dhe rikapja e ritmit të financimit të rrugëve të lëna rrugëve që ishin propaganduar si të përfunduara por ishin kontrata të lidhura duke mos pasur paratë, na morën një kohë goxha të madhe. Jemi sot në kushte të tjera, ne nuk kishim një administratë të motivuar dhe që kishte mundësitë të shërbente me dinjitet.

Sot e kemi falë transformimit të kalimit të shërbimeve për të cilat deri mbahej radha në shi e diell, dhe paguhej bakshish për të marrë një certifikatë”, tha ai.