Vendosni fjalën kyçe....

“Hotelet me 4-5 yje përjashtohen nga taksat” – Klosi depoziton në Kuvend shtyrjen e ligjit deri në 2026-ën


Deputeti i PS-së Blendi Klosi ka depozituar në Kuvend projekligjin që vijon të mbajë zero tatimin mbi të ardhurat e hoteleve dhe resorteve me 4-5 yje.

Ligji që e garantonte këtë deri tani është duke skaduar dhe sipas propozimit të Klosit, të gjitha hotelet dhe resortet me 4-5 yje që e përfitojnë statusin special do përjashtohen nga detyrimi financiar për 10 vitet e ardhshme.

Ligji skadonte në dhjetor 2024 ndërsa me propozimin  e Klosit shtyher deri në dhjetor 2026.

“Entitetet që operojnë në struktura akomoduese “Hotel/Resort me katër dhe pesë yje, status special” sipas përcaktimit në legjislacionin e fushës së turizmit dhe që janë mbajtës të një marke tregtare të regjistruar dhe njohur ndërkombëtarisht “brand name”, përjashtohen nga tatimi mbi te ardhurat korporatave për një periudhe 10- vjeçare, për ato struktura, të cilat përfitojnë statusin special deri në dhjetor 2026. Efektet e përjashtimit fillojnë në momentin e fillimit të veprimtarisë ekonomike të strukturës akomoduese, por jo më vonë se 3 vjet nga marrja e statusit special”, thuhet në projektligjin e propozuar.

Klosi argumenton se miratimi i ligjit do ndihmojë në zhvillimin e mëtejshëm të sektorit të turizmit në vend. Fillimisht miratimi i ligjit u bë në nëntor 2017 dhe do skadonte në fund të këtij viti.