Vendosni fjalën kyçe....

Qindra të liruar në këmbimin e të burgosurve mes Ukrainës dhe Rusisë


Rusia dhe Ukraina kanë këmbyer sërish qindra të burgosur, nën ndërmjetësim të Emirateve të Bashkuara Arabe.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky e ka konfirmuar këtë këmbim përmes një postimi në platformën Telegram, duke thënë se 189 ukrainas janë kthyer në shtëpi.

“Këta janë mbrojtësit e Azovstalit dhe Mariupolit, centralit bërthamor të Çernobilit, ishullit Zmini, dhe rajoneve të ndryshme të frontit të luftës”, ka thënë Zelensky.

Ai ka bërë të ditur se në mesin e të liruarve janë ushtarë, zyrtarë ushtarakë, dhe dy civilë që janë kapur në Mariupol.

Përmes një postimi, në të cilat janë parë fotografi të ushtarëve të buzëqeshur në autobus, ai ka thënë se Ukraina vazhdon të punojë për t’i liruar të gjithë ata që janë në duart e rusëve.

Ministria ruse e Mbrojtjes ka thënë po ashtu se është kryer këmbim i të burgosurve, dhe që 150 persona janë liruar nga ana e saj.

Në deklaratë është thënë se 150 ushtarë rusë janë evakuuar në Bjellorusi, ku janë duke marrë trajtim mjekësor dhe u është dhënë mundësia për t’i kontaktuar familjarët.

Rusia dhe Ukraina kanë kryer 59 këmbime të të burgosurve të luftës prej nisjes së luftës së Rusisë në Ukrainë, në shkurt të vitit 2022.

Presidenti rus, Vladimir Putin, e quan luftën “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.

Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre./REL