Kryeministri Rama tha sot se përgjegjësinë për gjendjen e pensioneve e ka Sali Berisha.
Gjatë konferencës së fundvitit me gazetarët ai tha se ata që kanë qeverisur vendin më parë kanë shkatërruar sistemin e pensioneve duke shkatërruar të ardhmen e moshës së tretë dhe të skemës.
“Kush e ka qeverisur Shqipërinë me parë e shkatërroi me themel të gjithë sistemin demokratik të pensioneve, nuk e ngriti fare, shkatërroi të ardhmen duke e trajtuar pensionin si lëmoshë dhe duke sabotuar të gjithë sistemin e sigurimeve shoqërore me një pension tavan 240 mijë lekë që të hidheshe përpjetë nuk ngjiteshe mbi atë tavan. Dhe mbi një numër pensionistësh të nxjerrë në pension që 40 e 45 vjeç kur u shkatërrua komplet struktura e vjetër e sistemit të kaluar dhe nuk u bë asgjë për të krijuar një sistem të ri. Sot i kërkohet me të drejtë qeverisë, se pse ka një disbalancë mes pensioneve të të njëjtës kategori për të njëjtat vite pune, ndërkohë që përgjigja është e thjeshtë por shumë e rëndë.” – tha Rama.
Ai shtoi se qeveria po bën për pensionistët atë që nuk mendohej dhe kjo për shkak të rritjes ekonomike të vendit.
“Jemi në kushte kur për shkak të rritjes kemi vendosur një volum financimi të pensionistet për fundvittin që do ishte i pamendueshëm vetëm disa vite më parë. Diskutimi është shumë, është pak, është diskutim tjetër. Nuk është asnjëherë shumë për askënd që futet në kategoritë për të cilat flasim, për pensionistët jo e jo. 100 mln euro bonus i fundvitit është një shumë që sot e kemi mundësinë duke u lehtësuar nga një barrë e madhe e viteve të rritjes ekonomike, që pensionistët nuk i kemi përfshirë dot në këtë rritje. Kjo është shenjë e kësaj dhe nga ana tjetër, fakti që kemi mundësinë të vendosim bonus të pranverës që do ta mbajmë në të gjitha vitet si një pasqyrë që do të reflektojë çdo rritje mbi parashikimin, është shumë domethënës.” – shtoi Rama.