Kreu demokrat Sali Berisha zhvilloi një takim me deputeten italiane Erica Mazzetti, përfaqësuese e Forza Italia dhe Drejtuese e Departamentit të Punëve Publike. Gjithashtu në takim ishte edhe kordinatori i PD në Itali, Bardhok Doda.
Berisha bën të ditur se me deputeten Mazzetti shkëmbyem mendime mbi rëndësinë e bashkëpunimit te gjithëanshëm mes dy vëndeve tona mike.
“Në drejtim të kësaj të fundit, me Mazzettin kujtuam rëndësinë e projektit TAP në garantimin e sovranitetit energjetik të Italisë dhe të rolit që qeveria e djathtë e viteve 2005-2013 ka patur në mbylljen me sukses të kësaj nisme strategjike për të dy vendet.
Kriza energjetike që po kalon mbarë kontinenti në vijim të konfliktit në Ukraine tregon qartazi që zgjedhja jonë për të mbështetur gazin e konsorciumit Shah Deniz, në vend të atij rus, ishte vendimi më i duhur.
Gjatë takimit shkëmbyem gjithashtu mendimin mbi rëndësinë që ka integrimi europian për Shqipërinë dhe rolin tejet mbështetës që Italia dhe Forza Italia kanë luajtur ndër vite, në veçanti nën drejtimin e Kryeministrit Berluskoni.
Në këtë plan, lufta kundra krimit të organizuar shqiptar, rrezik real për Shqipërinë por edhe Italinë dhe rajonin mbeten prioritete të përbashkëta.
I rikonfirmova deputetes Mazzetti se Partia Demokratike do të jetësojë një program qeverisës tejet ambicioz, si kurrë më parë, ku kryefjala do të jetë ekonomia, rritja e atraktivitetit për bizneset e huaja e ato italiane, mbështetja e tregtisë me jashtë dhe të një dialogu real me çdo biznes që krijon vënde pune e rrit mirëqënien.
Bashkëpunimi mes dy forcave tona politike aleate mbetet një përparësi madhore për PD-në.
PD mbetet gjithmonë tejet vlerësuese ndaj lidhjes unike dhe historike që bashkon dy forcat tona politike dhe dy kombet tona, duke kujtuar se interesat kombëtare të bashkëpunimit Itali-Shqipëri shkojnë përtej axhendave politike të çastit dhe se do të bëjë gjithçka për ta nxjerrë vendin nga rrëshqitja në të vetmen narko-diktaturë në kontinentin Europian”, shkruan Berisha në një postim në rrjetin social.