Një gjykatë në Korenë e Jugut u dha autoriteteve miratimin për të arrestuar presidentin e fajësuar Yoon Suk Yeol në një hetim penal për shpalljen nga ana e tij të ligjit ushtarak, duke shënuar herën e parë që një president në detyrë i vendit përballet me arrestim.
Zyra e Hetimit të Korrupsionit për Zyrtarët e Lartë (CIO) konfirmoi se Gjykata e Seulit miratoi një urdhërarrest të kërkuar nga hetuesit që po shqyrtojnë vendosjen afatshkurtër të ligjit ushtarak nga Yoon.
Yoon, i cili është pezulluar nga detyra, po përballet me hetime mbi akuzat se ai është udhëheqës i një kryengritjeje, një nga akuzat e pakta penale nga të cilat një president i Koresë së Jugut nuk ka imunitet. Më vete, në Gjykatën Kushtetuese po shqyrtohet gjyqi i tij për shkarkimin.
Urdhri i arrestit për një president në detyrë është i paparë dhe thellon krizën politike që ka përfshirë Korenë e Jugut, ekonominë e katërt më të madhe të Azisë dhe një aleat kyç të SHBA-së.
Kryeministri Han Duck-soo, i cili mori postin e presidentit në detyrë nga Yoon, është fajësuar gjithashtu nga parlamenti, i cili mbizotërohet nga opozita.
Urdhri i arrestit është i zbatueshëm deri më 6 janar dhe u jep hetuesve vetëm 48 orë për të mbajtur Yoon të ndaluar pasi ai të arrestohet. Më pas hetuesit duhet të vendosin nëse do kërkojnë një urdhër ndalimi apo do e lirojnë atë.
Pasi të arrestohet, Yoon pritet të mbahet në Qendrën e Paraburgimit në Seul, tha agjencia e lajmeve Yonhap, duke cituar CIO.
Yoon Kab-keun, një avokat i presidentit të fajësuar, tha se urdhri i arrestit ishte i paligjshëm dhe i pavlefshëm sepse CIO nuk kishte autoritetin sipas ligjit të Koresë së Jugut për të kërkuar një urdhër tëtillë.
Ai tha se ekipi ligjor i presidentit do paraqesë një urdhër në Gjykatën Kushtetuese për të ndaluar urdhrin.
Qindra mbështetës të Yoon u mblodhën jashtë rezidencës së tij të martën për të protestuar kundër urdhrit, disa duke u përplasur me policinë.