Rusia ul furnizimin me gaz në Evropë përmes Ukrainës ditën e fundit të marrëveshjes


Kompania ruse e energjisë Gazprom tha se do pomponte një vëllim të zvogëluar të gazit në Evropë nëpërmjet Ukrainës të martën, ditën e fundit para skadimit të një marrëveshjeje që kishte mbajtur gazin të rrjedhë gjatë gati tre viteve të luftës.

Me përjashtim të një marrëveshje të papritur të minutës së fundit, rrjedha e gazit ka të ngjarë të ndalet më 1 janar pas skadimit të marrëveshjes pesëvjeçare të tranzitit midis Rusisë dhe Ukrainës, duke shënuar një humbje pothuajse të plotë të zotërimit dikur të fuqishëm të Moskës mbi tregun evropian të gazit.

Presidenti rus Putin tha më 26 dhjetor se këtë vit nuk kishte kohë për të nënshkruar një marrëveshje të re për tranzitin e gazit përmes Ukrainës.

Blerësit e mbetur të gazit rus si Sllovakia dhe Austria kanë marrë masa për furnizime alternative dhe analistët parashikojnë ndikim të vogël në treg nga ndalimi i rrjedhës së gazit rus.

Ndalimi i rrjedhës së gazit do kishte një rëndësi shumë më të madhe gjeopolitike. Moska ka humbur pjesën e saj mbizotëruese të furnizimeve me gaz për vendet në Bashkimin Evropian duke ia lënë terrenin rivalëve si Shtetet e Bashkuara, Katari dhe Norvegjia që nga pushtimi i Ukrainës në vitin 2022, gjë që e shtyu BE-në të shkurtojë varësinë e saj nga gazi rus.

Dikur eksportuesi më i madh i gazit në botë, Gazprom i kontrolluar nga shteti regjistroi një humbje prej 7 miliardë dollarësh vetëm në vitin 2023, humbja e parë vjetore që nga viti 1999.

Për Evropën, humbja e furnizimeve të lira të gazit rus kontribuoi në një ngadalësim të madh ekonomik, një rritje të inflacionit dhe një përkeqësim të një krize të kostos së jetesës.

Ndërsa Evropa ka lëvizur shpejt për të gjetur burime alternative të energjisë, humbja e gazit rus ka përkeqësuar shqetësimet afatgjata rreth rënies së konkurrencës së saj globale dhe veçanërisht për të ardhmen industriale të Gjermanisë.

Rusia dhe ish-Bashkimi Sovjetik shpenzuan gjysmë shekulli duke ndërtuar rrjetin dhe tregun për një pjesë të madhe të tregut evropian të gazit, që në kulmin e tij ishte 35%, por lufta në Ukrainë e ka shkatërruar atë biznes për Gazpromin.

Shumica e rrugëve të gazit rus për në Evropë janë të mbyllura, duke përfshirë gazsjellësin Yamal përmes Bjellorusisë dhe Nord Stream nën Baltik që u hodh në erë në vitin 2022.

Tubacioni i epokës sovjetike përmes Ukrainës sjell gaz nga Siberia përmes qytetit Sudzha, tani nën kontrollin e ushtarëve ukrainas, në rajonin Kursk të Rusisë. Më pas ai rrjedh përmes Ukrainës në Sllovaki. Në Sllovaki, tubacioni i gazit ndahet në degë që shkojnë në Republikën Çeke dhe Austri.

Kievi ka kundërshtuar të negociojë një marrëveshje të re tranziti.

Ukraina po heq dorë nga tarifat prej rreth 800 milionë dollarë në vit nga Rusia, ndërsa Gazprom do humbasë afro 5 miliardë dollarë nga shitjet e gazit në Evropë përmes Ukrainës.

Përfundimi i marrëveshjes së tranzitit nuk ka gjasa të shkaktojë një përsëritje të rritjes së çmimit të gazit në BE në vitin 2022, pasi vëllimet e mbetura janë relativisht të vogla.

Rusia dërgoi rreth 15 miliardë metra kub (bcm) gaz përmes Ukrainës në vitin 2023, vetëm 8% e pikut të gazit rus që rrjedh në Evropë përmes rrugëve të ndryshme në 2018-2019.

Gazprom tha se do dërgonte 37.2 milion metra kub të martën krahasuar me 42.4 milion metra kub të hënën.

Ndalimi i furnizimeve nëpërmjet Ukrainës do jetë një goditje e madhe për Moldavinë, një vend që dikur ishte pjesë e Bashkimit Sovjetik.

Hungaria do vazhdojë të marrë gazin rus nga jugu, nëpërmjet gazsjellësit “Rrjedha Turke” në shtratin e Detit të Zi, ndonëse ka qenë e prirur të ruajë edhe rrugën e Ukrainës.