Vendosni fjalën kyçe....

Sekuestrohen 100 kuti me fishekzjarrë në Fier



Rreth 100 kuti me fishekzjarrë dhe kapsolla që tregtoheshin në mënyrë të paligjshme janë sekuestruar në Fier, ndërsa tre pronarë dyqanesh janë vënë në hetim. Operacioni, i koduar “Fireworks”, u zhvillua në kuadër të kontrolleve për parandalimin e tregtimit të kundërligjshëm të lëndëve piroteknike ne prag të Vitit të Ri.

Në hetim janë vënë tre pronarët e identifikuar me inicialet B. L., D. S., 42 vjeç, dhe M. S., 33 vjeç, të gjithë banues në Fier.

“Si rezultat i patrullimeve dhe kontrolleve në dyqane dhe ambiente të tjera, gjatë gjithë periudhës festive, që kryhen në zbatim të planit kombëtar të masave, kundër përdorimit dhe/ose tregtimit të kundërligjshëm të lëndëve piroteknike, Sektori për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare, në bashkëpunim me Seksionin e Mbështetjes Operacionale të Hetimit, të DVP Fier, konstatuan dhe goditën 3 raste të tjera të kësaj paligjshmërie. Konkretisht, në kuadër të operacionit “Fireworks”, filloi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit B. L., D. S., 42 vjeç dhe M. S., 33 vjeç, të tre banues në Fier, pasi në dyqanet e tyre, në lagjet “Sheq i Vogël” dhe “1 Maji”, u gjetën rreth 100 kuti me fishekzjarrë dhe kapsolla që shiteshin në kundërshtim me ligjin”, njofton policia.

Policia ka apeluar qytetarët të shmangin përdorimin e lëndëve piroteknike jashtë rregullave ligjore, duke paralajmëruar për rrezikun që ato paraqesin për shëndetin dhe sigurinë publike.